Poezia që u nderua nga Juria letrare me Çmimin PENA E FLAKËS, në Manifestimin kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit”, 2022
Alketë SPAHIU
PENG I LIRISË
Falemnderit imzot
që rob i normave te shenjta të njerëzve profanë
asnjëherë nuk isha,
as puritane në një botë të cekët me ujëra të turbullta
poashtu nuk isha,
as gozhdë e ndryshkur në një mendësi
të para evolucionit industrial
nuk pranova të bëhem.
Falemnderit imzot
që kur shpërndave komplekset e kota
unë rastisa në pushime ekzotike
në destinacione të panjohura
e zhytur në oqeanin e dashurisë për dije,
merrja rreze në hijet e ëndërrave.
Falemnderit imzot
që në mesin e shumë pengjeve
më zgjodhe të jem
peng i lirisë
më fal për lakminë që u ngjalle
të prekurve kronikë
me sindromën e Stokholmit.
Gjilan, 31 janar 2022