PDK, u mund nga brenda vetës! Nga të padisiplinuarit brenda partisë dhe servilët ende të “pazbuluar”.
Shkruan: Gani NEZIRI
Kaluan tri ditë që kur zgjedhjet e jashtëzakonshme përfunduan. Rezultoi se PDK humbi besimin e qytetarëve të Kosovës. Në mënyrën më “xhentillmen” e qytetare (ashtu qysh nuk jemi mësuar të shohim në Kosovë), kryetari i saj, z.Kadri Veseli pranoi humbjen krejt qetësisht.
Humbja e garës së jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së, ndoshta, mund të shpjegohet me një fjali të vetme: sabotimi i kryetarit Kadri Veseli nga të “domosdoshmit” dhe nga të padisiplinuarit brenda partisë!
Këtu hyjnë edhe disa servilë e mashtrues (të “afërt” me të afërmit e Kryetarit) me ide “gjeniale” duke ofruar propozime kandidaturash nga kuadrat e shkolluara “profesionale”- periferike, që në fakt, nuk kanë asnjë lidhje emocionale me PDK-në. Po ashtu, edhe votuesit e mirëfilltë të PDK-së nuk kishin asnjë emocion për votimin e tyre, (natyrisht as unë jo).
Për më tepër, ato kuadro fyenin e përçmonin PDK-në deri pak kohë para se të ishin në listën e PDK-së. Po ashtu kishte edhe të tillë që nuk kishin asnjë lidhje emocionale me PDK-në . Për më tepër, shquheshin për përçmimet që ia kanë bërë PDK-së, derisa nuk ishin në listën e PDK-së.
Informatat e rrejshme nga terreni që i depononin servilët e rrugëtimeve tinëzare dhe “këshillat” mashtruese të bashkëpunëtorëve të afërt i kanë devijuar arsyen e veprimeve kohezive.
(Në fakt, gjithë krerët politik ndeshen me këshilltarë mashtrues)!
Pastaj, dëm të pakrahasueshëm i solli edhe afera “pronto” dhe të suspenduarit e kësaj afere nga kryetari Veseli. Ata, në vend se të respektonin vendimin e kryetarit Veseli që t’i përmbaheshin rregullit politik të mosparaqitjes në publik, bënë veprimin e kundërt; u dukën prezent më shumë se kurrë, madje në plan të parë, në gjithë fushatën e PDK-së, sa këtu e sa atje.
Pra, pikënisja politike e Kadri Veseli për luftimin e korrupsionit në Kosovë (që fillimisht dukej shumë serioze dhe u mirëprit nga ana e qytetarëve) u relativizua pikërisht nga bashkëpunëtorët e tij si, ish deputetë, e ish kryetarë komunash.
Pra, PDK nuk u mund nga kundërshtarët politik partiak, VV dhe LDK por, u mund nga bashkëpartiakët e padisiplinuar brenda partisë dhe servilët ende të “pazbuluar”.
Gjithsesi që mund të jetë edhe pak më ndryshe për ta shpjeguar më kuptueshëm këtë mosbesim qytetarësh!