Gjilan – (2LONLINE) – Në takimin e sotëm të Shtabit Zgjedhor me kryetarët e nëndegëve dhe kandidatët për këshilltar, shefi i Shtabit Zgjedhor Izmi Zeka ka thënë se duke e ditur potencialin dhe forcën reale të PDK-së në Gjilan, ne do të rikonsolidohemi dhe do t’ia kthejmë fitoren Partisë Demokratike më 1 dhjetor të këtij viti.
Ndërkaq nga ana e tij kandidati për kryetar Qemajl Mustafa, tha se qytetari i Komunës së Gjilanit nuk e duron në udhëheqje të Komunës sojin e Lutfi Hazirit, ku pasojat e qeverisjes së tij shtatë vjeçare edhe sot janë të freskëta si: keqpërdorimet e fondit për tërmetin e 2002-shit në Gjilan, ndërtimet e shumta pa leje, sidomos të disa rrokaqiejve në tërë Komunën, konfliktet ndërnjerëzore e politike e shumë të zeza të tjera, të cilat në ditët në vijim do t’ia themi në mënyrë të argumentuar një nga një.
“Imperativ i ardhjes sonë në qeverisje ka qenë sjellja e frymës së çlirimtarëve dhe i frymës progresiste. Këtë e kemi arritur dhe do të vazhdojmë ta pasurojmë edhe më fuqishëm. Tashmë po e bëjmë koalicionin e gjërë për Gjilanin. Kushdo që ka menduar se jemi dorëzuar, e ka gabim; ashtu siç Çerçilli pas pushtimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Gjermania, deklaronte se na sulmuan në pabesi, por ne do të qohemi të gjithë në këmbë dhe do të sulmojmë e mbrohemi nga toka, deti e ajri, por një gjë nuk do ta bëjmë kurrë – nuk do të dorëzohemi”, ka thënë Mustafa, për të shtuar se “pikërisht ashtu edhe ne në PDK, do të dëshmojmë se jemi të pamposhtur dhe se vështirësitë na fuqizojnë dhe tek tani do ta shohim PDK-në e vërtetë – PDK-në fituese. Unë jam i bindur se do ta bëjmë këtë; jam i bindur se do të fitojmë”. /2lonline/