(2L ONLINE) – Vërshimet e shkaktuara në Gjilan nga shiu i rrëmbyeshëm i datës 31 korrik 2014, nuk janë menaxhuar profesionalisht nga qeverisja komunale si edhe nuk është bërë vlerësimi real i dëmeve të ndodhura ndaj pronës publike dhe private, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan.
Sipas kësaj komunikate, reagimi nga institucionet komunale nuk ka qenë në kohë dhe profesional, por më shumë ka qenë reagim për marketing politik, se sa që realisht e ka trajtuar dhe është marrur me këtë fatkeqësi natyrore. Ku vet përbërja e këtij komisioni komunal ka qenë politik, pa përfaqësim institucional dhe aspak profesional.
Më tej në komunikatë thuhet:
“Në shumë lagje dhe pjesë të qytetit si dhe të fshatrave, ky komision “politik” nuk ka dalë fare në teren, për të konstatuar dhe vlerësuar realisht dëmet e shkaktuar nga këto vërshime. Ku deri më tani kemi shumë ankesa të banorëve dhe përfaqësuesve të vendbanimeve, për mos interesim të institucioneve komunale në këtë fatkeqësi natyrore.
Përgjigja zyrtare e dalë nga komuna e Gjilanit, se komisioni do të del menjëherë në vendngjarje kur qytetarët të bëjnë kërkesë, kjo tregon jo seriozitetin dhe jo profesionalizimin se si është menaxhuar ky proces i fatkeqësisë natyrore.
Vlerësimi i konstatuar shpejt për dëmet e shkaktuara nga vërshimet, po ashtu tregon se kësaj qeverisje komunale u ka interesuar vetëm leku i paarsyetuar, për të kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Fondi i kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës prej 1.5 milion euro, nuk paraqet vlerën e saktë dhe reale të dëmeve nga vërshimet në Gjilan, këtë e di mirë edhe vet komisioni politik i komunës. Poashtu nuk është konstatuar se në cilët sektorë janë bërë dëmet, se çka është dëmtuar në infrastrukturë, po ashtu në bujqësi (në cilat kultura bujqësore janë dëmtuar nga vërshimet, në cilat fshatra ka pasur dëme, regjistrimin se sa bujq janë dëmtuar, identifikimin e tyre, vlerën individuale të secilit bujk, etj.). Nuk është konstatuar sa shtëpi dhe objekte tjera private janë dëmtuar, në cilat lagje dhe vendbanime, po ashtu sa objekte publike dhe sa biznese janë dëmtuar etj. Me një fjalë asnjë raport të detajuar dhe real të vlerësimit të dëmeve nga vërshimet nuk kemi.
Dhe krejt këto po tregojnë edhe njëherë shumë mirë, synimet e tyre politike të kësaj qeverisje komunale dhe qëllimet përfituese të tyre në dëm të qytetarëve të Gjilanit, sikurse që kanë bërë edhe me fondin e tërmetit të vitit 2002, ku po e njejta qeverisje kishte keqpërdorur skajmërisht fondin prej 3 milion euro, të ndarë në atë kohë nga Qeveria e Kosovës dhe të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Të gjithë qytetarët e Gjilanit ende e kanë të freskët kohën kur qeverisja e Lutfi Hazirit, bëri keqpërdorime shumë të mëdha me këtë fond për dëmet e tërmetit. Ku nga 3 milion euro, vetëm 1.25 milion euro, iu janë shpërndanë ekonomive familjare për sanimin e pasojave të tërmetit, por edhe në këtë rast kryefamiljarët janë dëmtuar rëndë, duke mos marrur vlerën reale të kompensimit të dëmit nga kompania, e cila shumë familje në vend të materialit, iu ka dhënë para të gatshme në vlerë të përgjysmuar sa ka kushtuar realisht materiali që iu ka takuar atyre kryefamiljarëve. E më e keqja e tërë këtij procesi ka qenë se qeverisja e Lutfi Hazirit, nuk kishte caktuar fare organ mbikëqyrës për monitorimin dhe kontrollimin e mënyrës se si kompania përfituese (e shefave të LDK-së) po ua jep materialin në kualitet dhe sasi të përcaktuar.
Ndërsa 1.75 milion euro të tjerat po ashtu i keqpërdori Lutfi Haziri, duke ia ndërruar destinimin fondit të tërmetit pa asnjë vendim të Kuvendit Komunal, ku “kokë në veti”ai ato para i investoi dhe i keqpërdori në projekte të vogla infrastrukturore, për të përfituar sa më shumë vota për LDK-në në zgjedhjet komunale të cilat ishin mbajtur po në atë vit të 2002-tës. E ku rreth një mijë familje atëherë patën mbetur pa asnjë lloj ndihme materiale për shkak të kësaj qasje politike dhe të keqpërdorimeve të fondit të tërmetit prej tre milion euro.
Për keqpërdorimin e fondit të tërmetit, opozita e atëhershme e PDK-së ka bërë edhe padi në gjykatë, por e cila asnjëherë nuk ka rezultuar me akuzë ndaj ndokujt apo për shfajësim nëse do të kishte bazë juridike për këtë çështje. Ka dëshmitarë të shumtë të saj kohe, të cilët shihnin se si në lokalet e kompanisë së shefit të LDK-së, bashkë gjykatës, prokurorë dhe avokat të komunës, “kuvendonin” mënyrën për t’ia falur Lutfi Hazirit këto keqpërdorime tre milionëshe.
Ndërsa në vitin 2008, kur PDK qeveriste me komunën, nuk ka pasur asnjë ankesë të vetme prej më shumës se 6 mijë familje të dëmtuara nga breshëri, sepse komisionet, me përfaqësim dhe profesional e bënë vlerësimin e shpejt dhe të saktë, ku nga fondi i Qeverisë së Republikës së Kosovës në vlerë prej 1.2 milion euro, iu janë ndarë nëpër xhirollogaritë bankare secilës familje. Për këtë proces nuk kishte vërejtje as nga opozita e asaj kohe, LDK dhe parti të tjera. Por ka pasur mirënjohje për punën e ndershme dhe të shpejtë, të bërë nga qeverisja e PDK-së për kompensimet e dëmeve të breshërit.
Por siç duket qytetit të Gjilanit, fatkeqësitë po i dyfishohen gjatë qeverisjes së Lutfi Hazirit, tërmet, decentralizim, vërshime, keqpërdorime, hetime dhe gjithçka tjetër në dëm të interesave të qytetarëve të komunës. Me këtë kryetar, Gjilani po dëmtohet rëndë në çdo aspekt. Ne tani kemi dyshime se edhe për çka “po lutet” Luta kur po falet në xhami? Vetëm inshallah nuk lutet që të ketë Gjilani fatkeqësi, për përfitime dhe interesa të tija.
Ne si grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan, kërkojmë që të formohet një komision me përfaqësim edhe nga Kuvendi Komunal, të jetë me përvojë dhe profesional, të bëjë punën nga fillimi në teren për të vlerësuar gjendjen reale të dëmeve të shkaktuar nga vërshimet e fundit, të bëjë përllogaritjen sipas vlerës dhe kategorive në të gjithë sektorët dhe për secilën familje dhe biznes, duke paraqitur raportin final të dëmeve, në bazë të gjendjen faktike dhe jo paushallë, sikurse që është bërë tani nga ky komision politik.
Dhe vetëm me këtë qasje jemi të bindur se edhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të shqyrtojë shumë seriozisht kërkesën e komunës së Gjilanit për të bërë kompensimin e dëmeve nga vërshimet, që iu janë bërë qytetarëve tanë.
Ndërsa lloji i kërkesës së drejtuar nga komuna e Gjilanit, tani në këtë formë si iu është drejtuar Qeverisë së Kosovës, vështirë se do të jetë i besueshëm për nga vlerësimi real i dëmeve të shkaktuara. Kjo më shumë i ngjanë se përmes kësaj, komuna ka për qëllim bërjen e kritikës dhe akuzës se Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk iu është përgjigjur kërkesës së komunës së Gjilanit, për kompensimin e dëmeve nga vërshimet për qytetarët e Gjilanit. Lutfi Haziri më në fund duhet të kuptojë se nuk mundet çdoherë të luaj me ndjenjat e qytetarëve të komunës dhe të keqpërdorë edhe më tutje fondet të cilat janë të destinuar për ta”, përfundon komunikata e grupit të Këshilltarbvëe të PDK-së lidhur me reagimin e komunës me rastin e vërshimeve për shkak të të reshurave. /2L ONLINE/