/2L ONLINE/ – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, përmes një komunikate në emër të grupit të Këshilltarëve të saj, shpreh shqetësimin e saj , për siç thonë, gjendjen e mjerueshme të cilën e ka sjellë qeverisja e LDK-së, në shumë projekte dhe investime të cilat janë realizuar nëpër vitet paraprake. Qyteti i Gjilanit është mbushur me deponi të egra, me ndërtime të egra pa leje ndërtimore, me mos mirëmbajtje të infrastrukturës e cila po shkatërrohet, me uzurpime pronash publike dhe me anarki të plotë në secilin sektorë.
Ja tutje reagimi i tyre, e idhur me këtë ata kanë ofruar edhe dy foto:
“Lutfi Haziri lëre më që ende nuk është në gjendje, që të fillojë projektin e parë investiv në qeverisjen e tij, por ai është i paaftë që të mbajë edhe pastërtinë e qytetit të cilën po e drejton dhe po e shfrytëzon për interesa të ngushta dhe personale.
Është e turpshme, se si ai lejon që trotuaret e rrugëve të qytetit të Gjilanit, të bëhen deponi të mbeturinave, njësojë është gjendja edhe përgjatë shtratit të lumit Mirusha, në pjesën e përfunduar të projektit. Pa pastërtia është pasqyra më e mirë e kësaj qeverisje.
Është e turpshme se si ky kryetar komune, po lejon uzurpimet e pronave publike nga ndërtuesit e papërgjegjshëm, se si po ndodhin ndërtimet pa leje kudo dhe kahdo nëpër qytetin e Gjilanit, se si po i zvogëlohen oborret e shkollave nga uzurpimet, se si po shkatërrohet infrastruktura publike, se si nuk është në gjendje që ta bëjë as një furnizim të rregullt me ndriçim publik, nëpër lagjet e qytetit.
E pa pranueshme është po ashtu mosmirëmbajtja e varrezave të dëshmorëve dhe e lapidarëve të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë mjerim, as në ëndërr nuk e kanë pritur qytetarët Gjilanas, por kjo po del si një dhuratë që po e sjellë një qeverisje e dështuar dhe e drejtuar nga Lutfi Haziri, i cili institucionet komunale një nga një, po i fut në gjendje kome.
Dhe fatkeqësisht qytetarët e Gjilanit duhet të pajtohen me faktin dhe të durojnë këtë mentalitet qeverisës, deri në përfundim të mandatit që ka marr ky kryetar komune nga mashtrimi dhe manipulimi që i bëri qytetarëve, të cilëve u premtoi parajsën por tani po ua ofron mjerimin”, thuhet në fund të reagimit të Grupit të këshilltarëve të PDK-së të kuvendit komunal të Gjilanit, /2L ONLINE/