(2L ONLINE) – Premtimet e qeverisjes komunale se projekti i lumit Mirusha do të përfundojë në shtator të vitit të kaluar, mbeti vetëm edhe një mashtrim që iu bë qytetarëve të Gjilanit. Ka kohë që ky projekt është ndërprerë plotësisht, jo si pasojë e motit por si pasojë e mos pagesës për punët e kryera, nga kompania e cila ka qenë e kontraktuar. Kështu thonë përfaqësues të PDK-së së Gjilanit, subjekt ky opozitar n Gjilan.
Sipas Riad Rashitit këshilltar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, Qeveria e Kosovës në buxhetin e saj për vitin 2015, ka ndarë vetëm 150 mijë euro për projektin e lumit Mirusha, gjë që e pamundëson vazhdimin e realizimit të këtij projekti sipas dinamikës së planifikuar, sepse projekti i kontraktuar kalon shumën prej dy milion euro. Sipas kornizës afatmesme buxhetore, qeveria e Kosovës, ka planifikuar që të financojë këtë projekt tek në vitet 2016 dhe 2017, e që dëshmon se ky projekt nuk pritet të përfundojë së paku edhe në tri vitet e ardhshme.
“Jo serioziteti dhe mos angazhimi i duhur i kësaj qeverisje komunale, ka bërë që gjatë vitit 2014 të ketë zvogëlim të dinamikës së realizimit të këtij projekti, mos pagesë të asnjë dëmi që iu është shkaktuar pronarëve përgjatë shtratit të lumit Mirusha, mos vlerësimin e pronave për shpronësim, si dhe ndërhyrje në këtë projekt, e deri të ndërprerja e punimeve”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, deri në fund të vitit 2013, ky projekt ka pasur dinamikë më të madhe në realizim të punimeve sipas projektit, janë paguar të gjitha dëmet ndaj qytetarëve të cilëve iu është dëmtuar prona, janë paguar pjesa më e madhe e shpronësimeve, kjo ka ndodhur sepse ka pasur angazhim dhe seriozitet në mbikëqyrjen e realizimit të këtij projekti si dhe financim më të madh nga qeveria e kaluar e Republikës së Kosovës.
“Gjilani është dëmtuar në vazhdimësi me ndarje jo të barabartë buxhetore nga të gjitha qeveritë e Republikës së Kosovës, mirëpo me qeverisjen e LDK-së dhe të Lutfi Hazirit, komuna e Gjilanit çdo herë ka pësuar më së shumti, ndërsa aktualisht ajo është nisur drejt rrugës së falimentimit”, ka thënë Riad Rashitit këshilltar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së./2L ONLINE/