Gjilan – (2LONLINE) – Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan kanë paralajmëruar padi ndaj Lutfi Hazirit kandidatit të LDK-së për kryetar komune. Ata thanë se do t’i grumbullojnë të gjitha faktet e dëshmit për manipulime n zgjedhjet e 3 nëntorit si dhe ato që kanë të bëjnë me presionet që po i bënë hairi bizneseve dhe të punësuarve, vetëm e vetëm për të ardhur deri te vota.
Riad Rashiti nga Shtabi Zgjedhor i PDK-së ka thënë se PDk kërkon nga bizneset e Gjilanit që të vazhdojnë aktivitetin dhe veprimtarinë e tyre afariste në kushte normale dhe mos të bien pre e mashtrimeve dhe ndikimit të kandidatit të LDK-së për kryetar komune Lutfi Hazirit, i cili që nga tani ka filluar presionin ndaj disa bizneseve dhe të punësuarve.
“Ne do ti mbrojmë të gjitha bizneset dhe të punësuarit me të gjitha mekanizmat institucional në komunë dhe të atyre qendrore. Lutfi Haziri nuk mund ti frikësojë, kërcënojë e manipulojë bizneset e Gjilanit në këtë kohë fushate përes grupës së tij të dyshimtë për vepra të ndryshme në të kaluarën e tij sa ishte në pushtet, por edhe ai vet personalisht nuk do të mundet ta bëjë këtë. PDK përmes Institucioneve Komunale me të cilat është duke qeverisur dhe do të qeverisë edhe për katër vitet e ardhshme, nuk do të lejojë këto kërcënime, kushtëzime dhe manipulime të ndodhin ndaj bizneseve dhe të punësuarve në to”, ka thënë Rashiti.
Ai tha se janë të angazhuar dhe duke mbledhur fakte nga tereni për të gjitha këto raste dhe do të ngrisin padi për ti përcjellë me kohë në organet e hetuesisë, ndaj këtyre veprimeve të një kandidati i cili pretendon të qeverisë më komunën përmes mashtrimit të qytetareve, me blerjen dhe manipulimin e votave.
“Ditëve të fundit kandidati i LDK-së Lutfi Haziri, duke e parë dhe ndier humbjen në ballotazh, duke e ditur mirë se më nuk do të mund të blejë, vjedhë dhe manipulojë votën e qytetarëve të Gjilanit sikurse në raundin e parë, ai ka ndryshuar qasjen dhe po tenton blerjen e votës industrial përmes formës tjetër atë të shantazhimit të bizneseve në Gjilan”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, Lutfi Haziri po i mashtron një pjesë të bizneseve sidomos ato ndërtuese, transportuese dhe shërbyese, ai po i premton projekte duke nënshkruar kontrata me ta, po ashtu po i premton tendera bizneseve si dhe po i kërcënon punëtorët me largim nga vendi i tyre i punës. Po ashtu kandidati i LDK-së ka angazhuar grupin e tij të dyshimtë dhe të punësuarit e LDK-së në institucionet komunale dhe ato qendrore për të ushtruar ndikim dhe presion ndaj bizneseve përmes inspektorëve të ndryshëm, duke i detyruar ata që të financojnë fushatën e tij dhe për ta votuar atë në balotazh.
“Që në ditën e parë pas zgjedhjeve, ka filluar largimi i disa punëtorëve nga vendi i punës në disa prej bizneseve në të cilat Luta ka ndikim, shembull është rasti i Hasan Mustafës i cili ka qenë i punësuar në njërin prej bizneseve në Gjilan dhe për arsye të mosbindjes për të votuar kandidatin e LDK-së për kryetar komune, është larguar nga puna. PDK denoncon dhe është kundër veprimeve të tilla që shantazhojnë qytetarët dhe bizneset e Gjilanit. Ne i garantojmë që do të vazhdojmë ti mbështesim bizneset ashtu siç kemi bërë deri më tani. Do të vazhdojmë me krijimin e lehtësirave dhe politikat stimuluese për bizneset në komunë”, ka thënë Rashiti.
Edhe, kandidati i PDK-së për kryetar komune Qemajl Mustafa që do të ballafaqohet me Hazirin në garën e balotazhit me 1 dhjetor, ka thënë se edhe deklarimet e Hazirit kohëve të fundit janë deklarime kundërligjore, dhe se ai po mundohet me manipulua besimin e zgjedhësve, vetëm e vetëm për të ardhur në pozitë ne kryetarit.
Por, Mustafa ka thënë se edhe sa ka qenë kryetar komune, në të kaluarën, Haziri u dëshmua për gënjeshtra dhe se kjo ishte reflektuar deri te secili qytetarë që e di mirë prirjen e Hazirit për të mashtruar, ndërsa ja ka përmendur edhe të bëmat e asaj kohe, që kanë të bëjnë me ndërtimet pa leje, falimentimet e bizneseve, privatizimin e pronave publike, keqpërdorimi ne mjeteve të tërmetit e shkelje të tjera, në kohën kur me Gjilanin qeveriste LDK dhe Haziri ishte kryetar. /2lonline/