(2L ONLINE) – Grupi i këshilltarëve të PDK-së n asamblenë komunale të Gjilani në një komunikatë për media kanë thënë se po vërtetohen shqetësimet e tyre si opozitë të ngritura në lidhje me shkeljet ligjore që po i bënë ky pushte në krye me kryetarin e Komunës , Lutfi Haziri, dhe në këtë drejtim kanë marrë si shembull vendimin dhe urdhëresën e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), lidhur me tenderin e anuluar që kishte të bënte me shërbimin e Dezinfektimit, Dezinsektimit, dhe Deratizimit (DDD).
Deklarata në fjalë e këtij subjekti politik opozitar, është bërë në emër të grupit të Këshilltarëve të PDK-së të cilën po e japim më poshtë.
“Kur ne, si opozitë (PDK) në Gjilan, ngritëm shqetësimet tona për shumë shkelje ligjore të cilat po bëhen nga qeverisja komunale dhe nga ana e vet kryetarit Lutfi Haziri, kishte reagime kërcënuese dhe të vazhdueshme nga pushteti komunal, se Partia Demokratike e Kosovës dhe disa nga Këshilltarët e Kuvendit Komunal, po bëjnë kritika të pabaza dhe po akuzon pa arsye ditë për ditë qeverisjen komunal.
Mirëpo shpejt erdhi koha, ku po vërtetohen shqetësimet tona lidhur me këto çështje, që kanë të bëjnë me shkeljet ligjore të cilat po ndodhin për çdo ditë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejtë të Lutfi Hazirit, që po i bënë në Zyrën e Prokurimit dhe në kontratat me operatorë të ndryshëm ekonomik. Futja e duarve të kryetarit Haziri, në shumë tenderë të komunës, u vërtetua edhe nga vet Organi Shqyrtues i Prokurimit të Kosovës (OSHP).
OSHP-ja ia ka vizatuar Lutfi Hazirit se ka bërë ndërhyrje në procedurat e prokurimit dhe shkeljet ligjore të cilat i ka bërë me rastin e anulimit të tenderit për Dezinfektimin, Dezinsektimit dhe Deratizimin në vlerë prej 160,350.00 euro, pas reagimit tonë për shumë enorme të këtij tenderi, i cili në krahasim me vitet e kaluara ishte për 700përqind më i shtrenjtë. Dhe tani e ka obliguar dhe urdhëruar kryetarin e komunës, që të nënshkruaj kontratën me operatorin fitues të këtij tenderi “Fauna” Gjilan.
Pra, veprimet dhe shkeljet ligjore të bëra drejtpërdrejt nga Lutfi Haziri, të Ligjit të Prokurimit Publik të nenit 62, kanë bërë që të dëmtohet rëndë buxheti komunal i Gjilanit në rast të mosrespektimit të vendimit dhe urdhëresës së OSHP-së ndaj Zyrës së Prokurimit, i cili parasheh dënim prej 5 mijë euro dhe masa ndaj zyrtarëve komunal duke ia marr edhe certifikatën e prokurimit, për bishtnim-ikje të përmbarimit të vendimit të OSHP-së.
Ne si Grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, me kohë kemi ngritur shqetësimin tonë edhe për rastet tjera ku janë bërë shkelje të rënda ligjore, kryesisht të Ligjit të Prokurimit Publik, përmes të cilave janë keqpërdorur qindra mijëra euro të buxhetit komunal, duke i dhënë tenderë kompanive pa respektuar procedurat ligjore. Ne i kemi paraqitur pesë raste për tu hetuar edhe nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ku kemi dërguar dëshmitë tona për keqpërdorimet e bëra dhe për dyshimet për korrupsion të qeverisjes së Lutfi Hazirit. Tenderi i fundit ku është bërë shkelje të rënda të procedurave ligjore, është ai për Manifestimin Kulturor “Ditët e Mërgatës” ku janë keqpërdorur fiks 8 mijë euro.
Kjo qeverisje e “Grabitqarëve” komunal, ka nisur dhe po vazhdon keqpërdorimet e shumta, e për të cilat jemi të bindur se do të ndalohen nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës dhe do të vijë koha që shpejt të japin llogari para drejtësisë ligjore.
Ne jemi në pritje edhe të rezultatit të hetimeve nga Prokuroria lidhur me tenderin për: Parkingjet e komunës, Furnizimin e skajoreve për rrugica, të sigurimit fizik të objekteve komunale, DDD dhe të këtij të fundit për Manifestimin “Ditët e Mërgatës”.
Sigurisht që angazhimi ynë si opozitë, do të ndikojë pozitivisht në ri-kthimin e ligjshmërisë në të gjitha institucionet komunale, e që kanë për qëllim respektimin e ligjit dhe ruajtjes së buxhetit komunal dhe të parasë së qytetarëve të Gjilanit, nga grabitqarët që duan të përfitojnë dhe pasurohen brenda natës. Dhe i kërkojmë Lutfi Hazirit që të ndalë këtë rrugë degraduese të komunës dhe ti kthehet punës institucionale duke respektuar ligjin. Sepse qytetarët e Gjilanit nuk e meritojnë që komuna e tyre të kthehet prapa në kohë”.
/Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së Gjilan/