(2L ONLINE) – Grupi i Këshilltarëve të PDK-së kanë kritikuar pushtetin aktual në Gjilan se ende nuk ka filluar furnizimin e shkollave me dru dhe naftë për ngrohje dhe se për faj të tyre, nxënësit e shkollave në Gjilan, po mërdhijnë nga të ftohtit
Ja reagimi i plotë për ktë çështje i Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së në KK Gjilan,që përbëhet nga këshilltarët: Sahit Abazi (shef i Grupit), Riad Rashiti, Bujar Nevzati, Fatbardha Selmani, Izmi Zeka, Leonora Bunjaku e Shukrije Rapuca.
“Jemi në fund të muajit tetor dhe komuna e Gjilanit ende nuk ka filluar furnizimin e shkollave me dru dhe naftë për ngrohje. Kjo ka bërë që nga java e kaluar, nxënësit e shkollave të mërdhijnë nga të ftohtit, si mungesë e ngrohjes të cilën ky pushtet nuk është angazhuar me kohë të bëjë kontraktimin dhe furnizimin me dru dhe naftë, duke e ditur shumë mirë se me ligj është e përcaktuar që më datë 15 tetor, të gjitha shkollat duhet të jenë të gatshme për të filluar ngrohjen e ambienteve mësimore.
Edhe me këtë rast komuna e Gjilanit po tregon një pa përgjegjësi të madhe, duke lejuar që nxënësit me vështirësi dhe në ambiente të padurueshme nga të ftohtit, të mbajnë mësim duke ua rrezikuar shëndetin e tyre. Kjo për gjashtë vitet e kaluara nuk ka ndodhur në qeverisjen e PDK-së në komunë.
Tenderomania në komunën e Gjilanit po shkakton shumë probleme dhe keqpërdorime, të cilat po e dëmtojnë rëndë edhe buxhetin komunal. Ndërsa kur është fjala për tenderët e ekskursioneve të nxënësve, po i kryejnë për tri ditë krejt tenderët për të gjitha shkollat.
Nuk është vetëm problemi i furnizimit për ngrohje nëpër shkollat e Gjilanit, po ashtu problem serioz është edhe dezinfektimi i ambienteve shkollore e cila nuk është bërë me kohë para fillimit të vitit shkollor, mu për shkak të kësaj tenderomanie. Ndërsa të premten e kaluar të gjithë nxënësit e shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, nuk kanë mbajtur mësim për shkak se është bërë dezinsektimi i shkollës, edhe pse kjo ka mundur të bëhet gjatë ditëve të vikendit, por kësaj i thonë qeverisje Lutfihane.
Ne, si grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, kërkojmë që menjëherë komuna e Gjilanit dhe Drejtoria e Arsimit, të marrin masa për të zgjidhur këtë problem serioz për mijëra nxënës të cilët po mërdhihen nga të ftohtit. Ka mundësi që furnizimi të bëhet shpejtë dhe menjëherë, por duhet ti gjeni rrugët dhe mundësitë për ta realizuar këtë’, thuhet në fund të reagimit të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së që përbëhet nga këshilltarët: Sahit Abazi (shef i Grupit), Riad Rashiti, Bujar Nevzati, Fatbardha Selmani, Izmi Zeka, Leonora Bunjaku e Shukrije Rapuca./2L ONLINE/