(2L ONLINE) – Kontrata mbi dhënien me qira të hapësirave publike komunale, e lidhur në mes të komunës dhe operatorit ekonomik me NTP. “S.O BEZI” të zgjedhur përmes ankandit publik, e cila ka filluar të implementohej nga data 01 gusht 2014, nuk po respektohet ashtu siç e parasheh përmbajtja e saj, si dhe nuk ka mbikëqyrje të duhur nga ana e komunës së Gjilanit, thuhet në një reagim të Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së në KK Gjilan, që përbëhet nga këshilltarët: Sahit Abazi (shef i Grupit), Riad Rashiti, Bujar Nevzati, Fatbardha Selmani, Izmi Zeka, Leonora Bunjaku e Shukrije Rapuca.
Në kë reagim thuhet tutje: “Në bazë të kontratës së lidhur më datë 01.08.2014 numër 486/2014, të nenit 5, thuhet se për shfrytëzimin e hapësirave publike, qiramarrësi është i obliguar që të paguaj qiranë në lartësi prej 54,120.00 euro në vit. Nga shuma e përgjithshme e qirasë vjetore, duhet të paguaj deri më datën pesë të muajit vijues nga 4,510.00 euro. Ndërsa neni 6 i kësaj kontrate, thuhet se qiradhënësi (komuna) ka të drejtë të prishë (revokoj) këtë kontratë nëse qiramarrësi nuk e paguan qiranë as në afatin e caktuar prej 15 ditësh kur qiradhënësi e ka thirr për pagesë.
Kjo marrëveshje e nënshkruar nuk është duke u zbatuar nga asnjëra palë, sepse operatori përfitues i kësaj kontrate, nuk iu është përmbajtur afateve të pagesës. Sipas informatave zyrtare, të marruara nga komuna e Gjilanit, shihet se obligimin për muajin gusht, në shumën prej 4,510.00 euro, e ka paguar me vonesë prej 40 ditëve, tek më datë 14 tetor 2014. Pra mosrespektimi i kontratës qysh në muajin e parë dhe të dytë, tregon joseriozitetin e komunës dhe të operatorit ekonomik, e cila ndikon drejtpërdrejtë edhe në buxhetin e komunal, në mos realizimin me kohë të hyrave të planifikuara, në mënyrë që këto mjete pastaj të destinohen për kryerjen e shërbimeve dhe punëve që ka komuna për të kryer ndaj qytetarëve të saj.
Poashtu, kjo kontratë nuk është duke u realizuar edhe sa i përket menaxhimit të sipërfaqeve për parkingjet komunale, ka parkingje të cilat fillimisht kanë filluar të menaxhohen nga operatori ekonomik, mirëpo pas një kohe këto zona nuk janë duke u menaxhuar sipas kontratës së nënshkruar.
Ne si opozitë me kohë kemi reaguar, lidhur me pa rregullsitë dhe keqpërdorimet e mëdha të cilat janë bërë deri në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate, nga ana e komunës. Por ato edhe sot po ndodhin njësojë, ashtu si është nisur ashtu edhe po vazhdon. Janë dëmtuar shumë biznese brenda qytetit, të cilave iu është vështirësuar jashtëzakonisht shumë afarizmi i tyre, nga menaxhimi i hapësirave publike para lokaleve të tyre. Si pasojë e kësaj kontrate të dhënë një biznesi për të përfituar në kurriz dhe në dëm të bizneseve tjera, sepse tani ka biznese që paguajnë nga 240 euro në muaj, ndaj kompanisë “BEZI” për shfrytëzimin e hapësirave para lokaleve të tyre. Kjo është një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe dhe e papërballueshme. Dhe të lejosh që një biznes ta ngarkojë një biznes tjetër me 240 euro në muaj, këtë e bënë dhe ndodhë vetëm në komunën e Gjilanit.
Për gjashtë vitet e kaluara, qeverisja e PDK-së në Gjilan, ka bërë lehtësira të vazhdueshme për bizneset në Gjilan, duke ua hequr të gjitha taksat, në zero euro, ka hequr lejet e punës, zero euro për regjistrimin e bizneseve dhe shumë lehtësira tjera administrative, për të cilat komuna jonë ka marr edhe çmime të shumta dhe vlerësime për klimën e mirë të të bërit biznes në rajonin e Gjilanit, ndërsa tani po ndodhë krejt e kundërta nga ky pushtet pa asnjë koncept për zhvillimin e komunës, e që merret vetëm me vizita ndaj pak bizneseve, sa për të bërë marketing sepse absolutisht nuk janë duke i ofruar asgjë bizneseve në Gjilan”, thuhet në fund të reagimit të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së që përbëhet nga këshilltarët: Sahit Abazi (shef i Grupit), Riad Rashiti, Bujar Nevzati, Fatbardha Selmani, Izmi Zeka, Leonora Bunjaku e Shukrije Rapuca./2L ONLINE/