(2L ONLINE) – Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së Gjilan, përmes një reagimi të tyre kanë thënë se në qeverisjen gjashtë vjeçare të PDK-së është investuar jashtëzakonisht shumë në lagjen e VIII-të të qytetit të Gjilanit, sepse ishte njëra ndër lagjet e lënë totalisht anash nga qeverisja e LDK-së, ku deri në vitin 2008 kjo lagje i ngjante ndonjë vendi afrikan.
Ky reagim i këtij grupi që përbëhet nga këshilltarët: Sahit Abazi (shef i Grupit), Riad Rashiti, Bujar Nevzati, Fatbardha Selmani, Izmi Zeka, Leonora Bunjaku e Shukrije Rapuca., vije si mospajtim me deklaratat e zyrtarëve komunal. Shih shkrimin Lagja e VIII po bëhet me infrastrukturë moderne
Ky grup kujton kohën kur PDk qeveriste me Gjilanit duke thënë se në këtë lagje janë realizuar shumë projekte të cilat e kalojnë shumën e dy milion euro. Aty është investuar projektin e ujësjellësit, asfaltimin e shumë rrugëve, ndriçimin publik, shpronësimin e tokës për ndërtimin e shkollës, është ndërtuar shkolla e re me standarde evropiane, por edhe këto rrugë të cilat sot po asfaltohen janë projekte të nisura në vitin 2013.
“Andaj na vjen mirë që kjo qeverisje e tanishme komunale, ka vullnetin për të finalizuar projektet e nisura të PDK-së, në këtë lagje dhe këto rrugë moderne me të gjitha standardet janë të parapara edhe sipas projektit, pra që është bërë në vitin 2012. Komuna e Gjilanit deri më tani ende nuk ka bërë ndonjë projekt të saj, se çka parasheh të investojë në të ardhmen në këtë lagje por edhe në lagjet dhe fshatrat e Gjilanit. Qeverisja aktuale ende e ka të lehtë të vazhdojë punën, sepse ia kemi lënë të gatshme dhjetëra projekte për secilën lagje e fshat. Është mirë dhe duhet të fillohet me hartimin e projekteve të reja, se çka dhe ku planifikon të investojë qeverisja komunale në tri vitet e ardhshme. Duhet të caktojë prioritetet e saj të investimeve, sepse prioritetet e PDK-së kanë përfunduar me sukses, përveç disa projekteve që tani po i finalizon qeverisja e LDK-së”, thuhet tutje në ktë reagim.
Po ashtu thuhet se “Por kjo qasje e institucioneve komunale ndaj investimeve në Gjilan, lë shumë për të dëshiruar. Nuk ka asnjë dokument, program qeverisës, strategji të zhvillimit ekonomik dhe së paku nuk ka një listë të thjesht, të prioriteteve që i parasheh kjo qeverisje për ti realizuar.
Sot, nuk po vërehet që po funksionojnë aspak disa drejtori komunale, si ajo e zhvillimit ekonomik, e cila është fare e palëvizshme, ku deri më tani përveç që nuk dhënë asnjë ide serioze, ajo ka bllokuar edhe mbi dhjetë milion investime kapitale. Dhe komunën gjallë janë duke e mbajtur vetëm dy drejtori, sepse krejt aktivitetet në teren të kësaj qeverisje janë duke u bërë vetëm nga drejtoria e shërbimeve publike, e cila ka një angazhim serioz në kryerjen e punëve të cilat i ka për detyrë ti kryej dhe drejtoria e bujqësisë po ashtu. Ndërsa pjesa tjetër e institucioneve komunale është duke funksionuar sa për sy e faqe, ose është krejt jashtë sistemit të funksionimit normal të saj”, thuhet n fund të reagimit të Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së, Gjilan. /2L ONLINE/