(2L ONLINE) – Qeverisja komunale e LDK-së në Gjilan, përveç degradimit institucional dhe stagnimit ekonomik lokal, po vazhdon edhe me shkatërrimin e plotë të pronave publike dhe fabrikave të privatizuara nga AKP, krejt këto me qëllim të realizimit të interesave të ngushta të pushtetarëve që po udhëheqin me komunën e Gjilanit, vlerëson Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së.
Sipas Këshilltarit Komunal të PDK-së Riad Rashiti, thuhet se Kuvendi Komunal i Gjilanit fatkeqësisht është bërë instrument i ekzekutivit komunal dhe i kryetarit të komunës Lutfi Haziri, i cili ka për synim dhe qëllim të vetëm, kontrollimin e plotë të jetës institucionale dhe në një formë edhe të privatizimit të komunës, duke e shndërruar në “Qendër të Biznesit” për donatorët dhe militantët e LDK-së, për përfitime materiale në kurriz dhe në dëm të krejt qytetarëve të komunës së Gjilanit dhe të Anamoravës në përgjithësi.
Sipas Rashitit, vendimi i miratuar më 29 shtator 2014 në Kuvendin Komunal mbi revidimin e qasjes së hartimit të planit rregullues urbanistik “Qendra 4” në Gjilan, arsyeshmëria e paraqitur për këtë çështje si dhe gjendja faktike në teren, e tregon hapur dhe shumë qartë, se këtu bëhet fjalë për dallavere të cilat kanë nisur dhe po shihen qysh tani, ende pa filluar procesi i revidimit të këtij plani rregullues urbanistik në këtë pjesë të qendrës së qytetit. Ku përmes këtij vendimi, po lejohet ndërrimi i destinimit të shfrytëzimit të pronave publike, të cilat janë privatizuar nga AKP.
Më tej thuhet se në këtë pjesë të planit rregullues, gjenden disa prona publike, fabrika të privatizuara nga AKP-ja, si Fabrika për Përpunimin e Miellit, Fabrika e Konstruksioneve Metalike, “Gosha-Metaliku”, Kompleksi i Kombinatit të Tekstilit “Integj”, Fabrika e Radiatorëve si dhe Çerdhja e fëmijëve. Edhe pse me vështirësi, këto fabrika edhe sot funksionojnë dhe kanë të punësuara qindra punëtorë, mirëpo gradualisht me politikat zhvillimore të Lutfi Hazirit, aktualisht ato vende pune po rrezikohen të shuhen, nga vënia e drynit të këtyre fabrikave.
Rashiti, duke përçuar qëndrimin e Grupimit të tij politik dhe të subjektit PDK, thotë se sot kur po flasim, veç kanë filluar ndërtimet kolektive banesore brenda hapësirave dhe pronave të këtyre fabrikave, ende pa filluar revidimi i planit rregullues urbanistik dhe në kundërshtim me kushtet aktuale urbanistike, në qendrën e qytetit të Gjilanit. Por kjo siç duket nuk do të jetë aspak problematike, pasi që disa nga investitorët të cilët kanë filluar ndërtimet banesore, janë të afërt me kryetarin e komunës dhe pjesë e pushtetit komunal.
Sipas Rashitit, dëshmi tjetër është edhe rasti i lejimit nga ana e Lutfi Hazirit, për privatizimin e Çerdhes së Fëmijëve, e cila deri më tani nuk ka mundur të shitet, si pasojë e një vendimi që e kishte marr qeverisja e PDK-së. Mirëpo edhe këtë vendim e ka anuluar instrumenti i Lutfi Hazirit, pra Kuvendi Komunal i Gjilanit, duke ia mundësuar financuesve dhe “Bosëve” të LDK-së blerjen e kësaj çerdhe të fëmijëve, për të ndërtuar edhe në këtë pronë banesa kolektive dhe lokale afariste. Ndërsa në anën tjetër kryetari i komunës në publik, deklarohet krejt ndryshe për pronat publike, prej asaj që ai punon dhe vepron ditën e natën për të realizuar planet e klaneve të tij.
Rashiti i PDK-së thotë tutje se krejt këto procese të cilat po ndodhin aktualisht në komunën e Gjilanit, tregojnë se kryetarit të komunës z.Haziri dhe pushtetarëve aktual, nuk është duke iu interesuar asgjë tjetër për punët dhe obligimet e qeverisjes lokale, pos krijimit të parakushteve, për të investuar milionat e tyre në ndërtim të banesave dhe lokaleve afariste, për të trefishuar kapitalin e tyre privat, ndërsa në anën tjetër duke shuar qindra vende të punës dhe duke i zhdukur edhe fizikisht fabrikat të cilat edhe për pak kohë më nuk do ekzistojnë fare, sepse duhet rrënuar ato për t’ia liruar hapësirën “bukurosheve” të qytetit, banesave dhe lokaleve afariste.
Sipas Rashitit, për këta muaj të qeverisjes Haziri, Kuvendi Komunal i Gjilanit i ka miratuar për revidim të planeve rregulluese urbanistike, pesë vendime, ndërsa asnjë plan që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik lokal, bujqësinë, bizneset, krijimin e vendeve të reja të punës, asnjëherë nuk është menduar, diskutuar e lëre më të miratohet. Për herë të parë, sot Gjilani nuk ka asnjë strategji të zhvillimit ekonomik. Kjo flet mjaft dhe tregon shumë, për qasjen që LDK ka ndaj punës me institucionet komunale.
Ai thotë tutje se vetëm për nëntë muaj të qeverisjes nga Lutfi Haziri, Gjilani ka ndryshuar aq shumë negativisht, sa që edhe qytetarët ende nuk po mund të u besojnë syve të tyre, se si është e mundur për një kohë aq të shkurtër, qyteti i tyre të degradohet aq keq në çdo aspekt, duke filluar nga jo stabiliteti institucional, ambienti i cili po shkatërrohet çdo ditë e më shumë, gjendja në arsim është përkeqësuar, është rrezikuar shëndeti i qytetarëve dhe nxënësve nga papastërtia dhe insektet e jashtëzakonshme, mungesa e sigurisë dhe lëvizjes së lirë nga ndërprerja e ndriçimit publik, anashkalimi i plotë i sektorit të kulturës, rinisë dhe sportit, Mungesa e mbështetjes për shoqatat e personave me nevoja të veçanta, keqpërdorimet e buxhetit të komunës, dallaveret me tenderët e shumtë, stagnimi i plotë i zhvillimit ekonomik lokal dhe shkatërrimi i tërë asaj që është krijuar e arritur gjatë viteve të fundit në komunën e Gjilanit. /2L ONLINE/