Partia Demokratike e Kosovës e ka marrë seriozisht mesazhin përmes votës nga qytetarët e Gjilanit, të cilët në zgjedhjet nacionale nuk ishin të kënaqur me ofertën e koalicionit të PAN-it.
Si rezultat i kësaj, PDK në Gjilan tani është e përkushtuar maksimalisht që për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, të përgatitet mirë dhe t’i ofrojë qytetarëve programin më të mirë qeverisës për katër vitet e ardhshme, kandidatin më të mirë për kryetar të Gjilanit dhe listën më të mirë për asambleist të Kuvendit Komunal.
Dhe si rezultat i këtij qëllimi, dega e PDK-së në Gjilan ka zgjedhur për shef të shtabit zgjedhor Riad Rashitin.
Kështu thuhet në një komunikatë të Shtabit Zgjedhor të PDK-së së Gjilanit, përmes të cilës , thuhet se PDK do të jetë alternativa e vetme serioze në zgjedhjet lokale, qytetarët e Gjilanit e dinë shumë mirë, se cili subjekt ka qeverisur më së miri me komunën e tyre që nga pas lufta e këndej.
“Të gjithë ata që duan ta dinë, e shohin dallimin në mes të mirës dhe të keqes, dikur kur komuna qeverisej mirë dhe zhvillohej nga PDK dhe nën udhëheqjen e ish-kryetarit të komunës Qemajl Mustafa, dhe tani kur skajshmërisht Gjilani po keq qeveriset nga LDK dhe nga Lutfi Haziri i cili aq keq e degraduar jetën institucionale dhe që e ka rrënuar plotësisht perspektiven e qytetarit të Gjilanit”, thuhet tutje në komunikatë.
“Në katër vitet e ardhshme, udhëheqja e komunës së Gjilanit nga PDK-ja është nevojë dhe domosdoshmëri për ta ri-kthyer gjendjen normale në funksionimin e institucioneve, ofrimin e shërbimeve më të mira, rritjen e investimeve serioze në projekte zhvillimore, ndaljen e korrupsionit të lartë që është instaluar në institucionet komunale, ndaljen e shkatërrimit të qytetit nga ndërtimet pa leje, ndaljen e rrënimit të fabrikave dhe shëndrrimin e tyre në banesa kolektive, kthimin e oksigjenit në qytetin e Gjilanit që e ka shkatërruar gjelbërimin dhe nga ndotja e pashembullt që e ka krijuar qeverisja e LDK-së”.
“PDK e ka kandidatin fitues dhe më të mirë për kryetar të Gjilanit, e gjithashtu do të ketë listën më të mirë për asambleistë në zgjedhjet lokale të tetorit. Qytetarët e Gjilanit nuk kanë më shumë kohë për të humbur dhe për të dhënë besimin e tyre në adresa të gabuara, ata kësaj radhe do ta japin votën e tyre vetëm aty ku kanë siguri se nuk do ti keqpërdoret besimi i tyre”.