/2L ONLINE/ – Nga politikat ditore të kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri, veç sa po thellohet kriza serioze që e ka kapur secilin institucion komunal dhe po shtohen problemet e qytetarëve, të cilët tani kanë humbur çdo shpresë dhe besim në këtë kryetar, i cili edhe pas humbjes nga gara e të parit të kryetarit të LDK-së, nuk pritet ti kthehet qeverisjes së komunës por ai do të vazhdojë të merret me politika “të mëdha” kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
Kështu thuhet në një komunikatë të PDK-së së Gjilanit, sipas të cilës, në qeverisjen e Lutës, jo që ka ngecje në secilën fushë, por ka degradim total duke rrezikuar edhe mbijetesën institucionale, të cilat aktualisht nuk janë të orientuara dhe të angazhuara në punë dhe në shërbim që kanë nevojë qytetarët dhe bizneset, por janë të fokusuara në realizim të interesave të ngushta të pushtetarëve dhe klanit qeverisës në Gjilan e më gjerë.
“Dështimet e shumta dhe të njëpasnjëshme të qeverisjes Haziri, kanë kosto të lartë në zhvillimin e komunës dhe të mirëqenies së qytetarëve të Gjilanit dhe Anamoravës. Humbja e shumë miliona eurove të investimeve në projekte të ndryshme, keq menaxhimi i buxhetit komunal dhe anarkia institucionale, kanë efekte negative të jashtëzakonshme të cilat po shkaktojnë dëme të mëdha për jetën dhe perspektivën qytetare dhe biznesore. Por jo vetëm me kaq, sepse Gjilanit po i humbin donatorët dhe investitorët, që e kanë përkrahur që nga pas lufta komunën me shumë projektet të rëndësishme, e që sot kjo mbështetje ka rënë nën çdo nivel si pasojë e mungesës së mirëpritjes dhe trajtimit serioz të tyre”, thuhet tutje në komunikatën e PDK-së.
Sipas këtij subjekti opozitar, të gjitha mundësitë po humbin, ngulfatja që ka shkaktuar qeverisja Haziri, nuk lejon rrugë zhvillimore e as mbijetese, në Gjilan po bëhet keq e më keq. /2L ONLINE/