(2L ONLINE) – Fillimisht kritikojë PDK, përmes Grupit të saj të Këshilltarëve Komunal, e më pas erdhi një reagim ndaj këtyre kritikave nga drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), Nazmi Musa, pasi ishte pikërisht sfera e arsimit të cilin e kishte marr “në thumb”, PDK-ja opozitare, por ky reagim i drejtorit të DKA-së nuk i ka pëlqye PDK-së, e cila sërish përmes një komunikatë të bërë në emër të Grupi të Këshilltarëve, flet për të njëjtën çështje.
Lexo paraprakisht:
PDK: Pushteti po kujdeset për “Turshia” të tenderëve dhe projekteve!
Musa lutet për PDK: “O Zot, jepu fuqi atyre ta mbyllin gojën kur nuk kanë çka për të thënë”
***
Ja tani kundër reagim i PDK-së përkatësisht Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal Gjilan.
“Çdo herë mundohemi ti kuptojmë reagimet e atyre që preken nga kritika të ndryshme që mund ti drejtohen për ndonjë çështje apo problematikë të caktuar. Por sidomos e kuptojmë drejtorin e Arsimit në Gjilan, Nazmi Musën, i cili është duke e udhëhequr një sektor shumë të rëndësishëm por nën masa të dhunshme, të imponuara nga njëri klan i LDK-së me në krye kryetarin e komunës së Gjilanit. Andaj ne kemi mirëkuptim ndaj këtij drejtori “viktimë” e kësaj qeverisje komunale.
Është e dhimbshme për drejtorin e Arsimit, që në reagimin e tij, nuk mundi të përmende vetëm një projekt të nisur nga qeverisja e tij, apo një punë që do të ishte risi për procesin mësimor. Të gjitha projektet e përfunduara gjatë këtij viti në sektorin e Arsimit, janë projektuar, tenderuar dhe janë nisur që nga vitet paraprake nga qeverisja e PDK-së.
I gjori drejtor i Arsimit, paska harruar se Gjimnazi i ri, sikurse edhe tetë shkolla të reja në Gjilan, janë ndërtuar në kohën e qeverisjes ë PDK-së, ndërsa renovimi, gëlqerosja etj, janë obligime të përditshme të drejtorisë së Arsimit, që sipas prioriteteve të shpenzojë buxhetin e planifikuar për mirëmbajtje të objekteve shkollore. Dhe nuk mund të quhet si ndonjë e arritur, që duhet theksuar.
Çfarë mund të thuani tjetër për shkollën e re të “Agrokulturës” ku janë investuar mbi një milion euro, nga donatori “Danida” dhe komuna e Gjilanit gjatë qeverisjes së PDK-së me standarde evropiane, ndërsa ju në qeverisjen tuaj, nuk po mund as ta mirëmbani dhe ju drejtor i Arsimit jeni deklaruar (jo publikisht) se ky është një investim i kot, duke propozuar që edhe të mbyllet kjo shkollë, sepse nxënësit nuk po shkojnë atje për mësim. Cka do të thotë se ju nuk keni fare ide dhe asnjë angazhim nuk e keni bërë si drejtori e Arsimit për të funksionalizuar këtë shkollë të rëndësishme. Paramendojeni që nuk keni mundur të plotësoni 13 paralele të planifikuara në këtë shkollë, ku aktualisht vetëm 3-4 klasë i keni të plotësuar me numrin e nxënësve.
Nuk jeni në gjendje të kujdeseni as për një fermë të lopëve, që ekziston në kuadër të kësaj shkolle, sepse edhe lopët po ju ngordhin (po i mbyteni) nga pakujdesia, sepse LDK e ka punësuar një të afërm familjar, që është në moshën mbi 60 vjeçar, ndërsa nuk ka pranuar nxënës të cilët e kanë kryer këtë shkollë, aty ku është edhe kjo fermë edhe pse i ka plotësuar kushtet sipas konkursit, por drejtoria e Arsimit në vend që ti stimulonte nxënësit e kësaj shkolle duke punësuar aty ndonjë prej tyre, ka marr në punë kandidatë që është para pensionimit dhe i paaftë për tu kujdesur për kafshët në këtë fermë që është në kuadër të shkollës së Agrokulturës.
Ndërsa sa i përket vargut të punëve të kryera, sipas drejtorit të Arsimit, ne e vlerësojmë se aspak nuk është meritë e tij apo e kësaj qeverisje, sepse organizimi i testeve të maturës, arritshmërisë, reforma e re në Arsim, nuk kanë të bëjnë asgjë me nivelin lokal, por janë përgjegjësi të nivelit qendrorë.
E lusim publikisht drejtorin e Arsimit, të deklarohet vetëm për një projekt, çfarëdo qoftë ai për nga vlera investive, të cilin e ka ideuar, projektuar dhe realizuar nga qeverisja e juaj. Sigurisht që nuk ka, sikurse që nuk ka pasur për shtatë vite kur ka qeverisur LDK dhe LDD deri në vitin 2008.
Por ne si opozitë vërtet e kuptojmë drejtorin e Arsimit Nazmi Musën, sepse e theksuam në fillim, se ai aty po qëndron detyrimisht me kërkesën e kryetarit të komunës Lutfi Haziri, sepse vullneti i drejtorit ka qenë që të jap dorëheqje nga posti i tij, por këtë nuk i ka pranuar kryetari i dhunshëm.
E kemi theksuar edhe më parë, se për gjendjen e përkeqësuar jashtëzakonisht shumë në sektorin e Arsimit në Gjilan, përgjegjës kryesor është kryetari i komunës dhe klani i tij i dhunës. Dihen problemet e mëdha në regjistrimin e nxënësve në klasat e para dhe në vitet e para të shkollave të mesme, ku qindra nxënës jashtë numrit të caktuar dhe jashtë kritereve janë regjistruar nëpër shkollat e Gjilanit, si pasojë e ndikimit të drejtpërdrejt të zyrtareve komunal të LDK-së deri te kryesuesja e Kuvendit Komunal, e cila drejtpërdrejt futej nëpër shkolla dhe klasa të caktuara për të imponuar me kërcënime regjistrimin e nxënësve jashtë normave të caktuara.
Edhe sot, kemi mbi 157 nxënës që shkojnë nëpër klasa të ndryshme, e që janë të paregjistruara, pse po ndodhë kjo?
Çfarë ndodhi me konkursin për drejtorë dhe zëvendës drejtor të shkollave në Gjilan, nuk ka ndodhur kurrë në qeverisjen e kaluar. Një anëtar i komisionit për vlerësimin dhe pranimin e drejtorëve, vetëzgjidhet drejtor i Gjimnazit Natyror, dy drejtor të suspenduar më parë nga drejtoria e Arsimit për keqpërdorime, ju i zgjidhni drejtor të shkollave, 5 drejtorë të tjerë i keni zgjedhur pa plotësuar kushtet dhe kriteret sipas konkursit, këtë e ka dëshmuar edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, ekzistojnë faktet për të gjitha këto. Po ashtu ju jeni detyruar nga klani i dhunës dhe keni pranuar mësimdhënës familjar të zyrtarëve të LDK-së, që kanë qenë të vlerësuar nga komisioni dhe të ranguar të pestit në listë, jashtë kritereve të përcaktuara. Por normalisht që nuk doni të përballeni me to.
Janë krijuar edhe aq shumë probleme të tjera në Arsim, sa që është e vështirë të theksohen të gjitha, por një gjë dihet që gjendja është alarmante. Fakti që është përdorur dhunë gjatë dërgimit të nxënësve nëpër ekskursione, të dëmtohen mijëra euro më shumë nxënësit për të paguar më shumë për kompaninë e preferuar të kryetarit të komunës, ku nga pakujdesia e organizatorëve, humb jetën një nxënës në ekskursion, ku shëndeti i nxënësve është plotësisht i rrezikuar nga mos kryerja e shërbimit të dezinfektimit të hapësirave shkollore, ku dyshohet për ujin e papijshëm në shkollat e zonës rurale sepse ka mbi 45 ditë që komuna e Gjilanit, nuk i përgjigjet kërkesës së opozitës për rezultatin e analizave të ujit.
Poashtu, po ashtu është bërë kaos me kriteret e përcaktuara për regjistrimin e nxënësve në klasë të parë, ka klasë me 5 nxënës dhe me 30 nxënës. Për ndryshimin e këtyre kritereve keni qenë edhe ju kundër, bile edhe publikisht në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit, por imponimi ndaj jush nuk ka pasur të ndalur. Janë interesat e klaneve të LDK-së, që të prishin gjithçka që është ndërtuar dhe arritur në Arsimin Gjilanas gjatë viteve të fundit.
Tanimë krejtësisht është e qartë për të gjithë qytetarët e Gjilanit, se ju si drejtor i Arsimit, nuk keni aspak ndikim dhe kompetencë për të ushtruar dhe kryer detyrat e juaja në këtë sektorë. Ju jeni totalisht i pafuqishëm, sepse këtë ua ka bërë partia e juaj LDK- dhe jo ne si PDK, sepse ne ju kemi mbështetur juve në respektimin kritereve për regjistrimin e nxënësve, por klani i kryetarit të komunës dhe të kryesueses së Kuvendit Komunal, janë bërë pengesë serioze për ju dhe institucionin të cilin e drejtoni, por edhe për të gjitha institucionet tjera komunale.
Nuk është ky fillimi i dështimeve të kësaj qeverisje komunale, mos u merakosni ju, sepse nuk ka nisur me ju, i nderuar drejtor i Arsimit. Por, varet nga ju nëse e vlerësoni drejt qëndrimin tuaj ende në këtë post, për të qenë pjesë e dështimeve tjera dhe rritjes së problemeve në Arsim, si pasojë e masave të dhunshme ndaj jush nga qeverisja e LDK-së, apo doni të liroheni nga kjo përgjegjësi dhe barrë e papërballueshme për ju siç po duket. Moralisht nuk do të duhej asnjë ditë të qëndroni tutje në pozitën tuaj. Mirëpo normalisht që përcaktimi dhe zgjedhja ju takon juve, ndërsa neve na vjen keq për gjendjen e juaj dhe për gjendjen alarmante në sektorin e Arsimit në Gjilan, sepse kjo gjendje ka qenë vetëm para viteve 1999, kur Arsimi qeverisej nga zyrat e LDK-së”
Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal Gjilan