(2L ONLINE) – Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në KK Gjilan përmes një komunikate, ka bër ëtë ditur se nga mungesa e ndriçimit publik në qytetin dhe fshatrat e Gjilanit, është vështirësuar dhe është problematizuar qarkullimi normal i qytetarëve, të cilët ndihen të rrezikuar nga errësira e plotë në qendër dhe në lagjet e Gjilanit, ku janë rritur edhe rastet e lëndimeve që po pësojnë të moshuarit, nxënësit, fëmijët dhe të gjithë banorët e këtyre pjesëve të qytetit, e të cilët janë të rrezikuar edhe nga qentë endacak, që gjatë këtij viti janë shtuar në numër të madh dhe që qarkullojnë mu nëpër qendër të qytetit.
“Kjo gjendje është bërë e pa përballueshme në Gjilan, sepse ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të vjedhjeve dhe thyerjeve të ndryshme, të cilat po ndodhin gjatë natës nëpër lagjet dhe fshatrat e komunës të cilat aktualisht janë në errësirë të plotë në mungesë të ndriçimit publik, si pasojë e keq menaxhimit të institucioneve komunale në Gjilan”, thuhet tutje në këtë komunikatë të këshilltarëve të PDK-së.
Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka kërkuar nga përgjegjësit e komunës, që menjëherë ta zgjidhin këtë problem dhe shqetësim serioz të qytetarëve, sepse po u rrezikohet liria dhe siguria e tyre gjatë qarkullimit nëpër rrugët e lagjeve dhe fshatrave të shumta.
“Ne edhe mund t’i kuptojmë arsyetimet e komunës lidhur me këtë gjendje të krijuar, por assesi nuk e kuptojmë papërgjegjësinë institucionale të kësaj qeverisje lokale, e cila nuk merret aspak me hallet e përditshme të qytetarëve të Gjilanit, që po u shkaktohen nga keq menaxhimi institucional, sikurse me problemin e ndriçimit publik, por edhe të mushkonjave si pasojë e mos dezinsektimit të ambientit i cili nuk është kryer fare gjatë këtij vit”
Komuna e Gjilanit, duhet të gjejë zgjidhjen e furnizimit të rregullt me energji elektrike për rrjetin e ndriçimit publik, sidomos gjatë kohës kur ka frekuentim të madh të qytetarëve nëpër rrugët e qytetit por edhe të fshatrave.
“Ne si Grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, propozojmë që shpenzimet e ndriçimit publik të zvogëlohen dhe reduktohen gjatë orëve të vona të natës, por jo sikur tani kur është ndalur plotësisht ndriçimi publik në qytetin e Gjilanit. Duhet të analizohet mirë gjendja se si mund të vijë deri te zvogëlimi i këtyre shpenzimeve dhe të aplikohet ndonjë model për furnizim të rregullt me energji elektrike të rrjetit të ndriçimit publik”.
Si mundësi, mund të jetë edhe aplikimi i reduktimeve, ku deri në ora 24 të jetë plotësisht funksional ndriçimi publik, ndërsa pas kësaj kohe, mund të funksionojë furnizimi vetëm në njërën anë të rrugëve, me përjashtim të qendrës së qytetit, e cila duhet të ketë ndriçim publik pa asnjë ndërprerje. Deri në një qëndrueshmëri stabile të menaxhimit institucional, e cila tani nuk ekziston.
Ndërsa tani e rëndësishme është që menjëherë komuna ti sigurojë qytetarëve të saj, normalitet, siguri dhe liri të plotë, në qarkullimin e tyre nëpër rrugët e qytetit dhe të fshatrave të komunës së Gjilanit, sepse kjo është prioritet i prioriteteve për një jetë normale në një vend ku ka institucione funksionale. Dhe jo sikurse tani, që nuk po dihet ku po jetojmë dhe në cilën kohë po jetojmë, thuhet në fund të komunikatës të lëshuar nga Grupi i Këshilltarëve të PDK-së /2L ONLINE/