Përmes një komunikate për medie, Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart gjithë procesin e zgjedhjeve të përgjithshmë për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe përgëzon qytetarët dhe institucionet përgjegjëse për arritjen e standardeve më të larta demokratike.
Në lidhje me deklarimet e sotme të disa partive politike për formimin e koalicionit te ardhshëm qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton shumë qartë se mandati për formimin e Qeverisë i takon fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës.
Mandati për formimin e Qeverisë buron nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët i dhanë Partisë Demokratike të Kosovës besimin për të vazhduar udhëheqjen e Qeverisë dhe për të zbatuar Misionin e Ri për Kosovën, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Ne i bëjmë ftesë të gjithëve që të përmbahen nga tendenca për të shkelur verdiktin demokratik të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët me votën e tyre sovrane kane shprehur qartë vullnetin e tyre politik dhe qytetar për katër vitet e ardhshme.
Partia Demokratike e Kosovës i fton të gjithë qytetarët që të kenë besim të plotë në institucionet përgjegjëse dhe në proceset ligjore dhe kushtetuese, thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike të Kosovës.