(2L ONLINE) – Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së Gjilan në një reagim të tij, është thënë se të gjitha rrugët në fshatrat dhe në qytetin e Gjilanit janë me rrugë dhe trotuare të pa pastruara nga bora dhe nga ngricat, gjë që ka vështirësuar tej mase qarkullimin normal të automjeteve dhe qytetarëve. Institucionet komunale janë treguar të papërgjegjshme dhe nuk kanë arritur ende të kontraktojnë ndonjë kompani për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në Gjilan edhe pse jemi në muajin janar.
Edhe pse komuna e kishte shpallur kompaninë fituese të tenderit për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, Organi i Shqyrtimit Publik në Prishtinë nuk e ka lejuar zyrën e prokurimit në Gjilan, që të nënshkruaj kontratën me këtë kompani e cila ka qenë e planifikuar të bëhet më 5 janar, për shkak të ankesave që kanë bërë kompanitë tjera konkurruese në këtë tender, për parregullsitë në vlerësimin e ofertave për këtë projekt, thotë Riad Rashiti një nga anëtarët e këtij Grupi të këshilltarëve Komunal të PDK
Sipas tij, procedurat e këtij tenderi është dashur të kryhen para sezonës së dimrit, mirëpo zyra e Prokurimit në Gjilan siç duket edhe në këtë rast, ende nuk e ka bërë pazarin mirë me ndonjërën nga kompanitë, për tenderin dhe mirëmbajtje dimërore të rrugëve, apo sigurisht duan që ky tender të përsëritet dhe të marrin pjesë edhe kompanitë jashtë Gjilanit (gjatë vitit 2014, komuna ka dhënë 18 tenderë kompanive jashtë Gjilanit në vlerë prej mbi 1 milion euro), sepse pazari po bëhet më lehtë me to, si dhe transferet e pagesave po realizohen më shpejtë dhe me një besueshmëri më të madhe.
“E deri sa po bëhen dallavere me tenderët, qytetarët e komunës së Gjilanit po vazhdojnë të pësojnë gjatë dimrit njësoj sikurse edhe gjatë verës, ku nuk u realizua asnjëherë projekti i Dezinsektimit të ambientit në qytet, për arsye të keq menaxhimit dhe ndërhyrjeve të drejtpërdrejta të kryetarit të komunës Lutfi Haziri, i cili jashtë ligjshëm kishte anuluar këtë tender” thotë Rashiti.
Sipas tij, nxënësit e shkollave, në veçanti të fshatrave të Gjilanit këto ditë më së shumti kanë pasur probleme për të vijuar mësimin në pamundësi të ecjes nëpër rrugët me borë dhe me ngrica. Në shumë raste ata janë përballur edhe për të ndihmuar (shtyrë) automjetet të kalojnë rrugën me ngrica për të vazhduar më pas drejt shkollave të tyre. Ku ka pasur raste të shumta edhe të lëndimeve serioze.
Rashiti thotë se nxënësit e Gjilanit janë me më së shumti fat në Kosovë, ata po i ruan Zoti nga kushtet e rënda me të cilat janë përballur gjatë vitit të fundit, pa ujë të pijshëm nëpër shkollat e fshatrave, pa dezinfektimin e ambienteve shkollore, pa ndriçim publik, të rrezikuar nga qentë endacak dhe tani së fundmi nga ngricat e rrugëve të pa pastruara nga komuna.
“Të gjitha këto probleme me të cilat po përballet qytetari i Gjilanit, janë si pasojë edhe e bllokut të Kosovës, sepse kryetari i komunës për gjashtë muaj është marr me bllokun në Prishtinë, ndërsa në anën tjetër i janë bllokuar institucionet e komunës, duke mos pasur mundësi të kryejnë detyrat elementare për një jetë normale të qytetarëve të komunës. Se Lutfi Haziri ka arritur të kthej vëmendjen dhe kujdesin e Prishtinës dhe Shqipërisë ndaj Gjilanit, kjo është më se e “vërtet”, apo jo? Pra, vazhdojmë me traditën e qeverisjes Haziri në Gjilan, propagandë dhe fjalë shumë, e punë hiq”, shprehet Rashiti.
Ai thotë se Grupi i Këshilltarëve komunal të PDK, kërkon nga institucionet komunale që menjëherë të kontraktojnë një kompani për mirëmbajtje dimërore të rrugëve, përmes procedurave të përshpejtuara me kuotim dhe të zhbllokohen të gjitha rrugët nëpër fshatrat e Gjilanit, sepse kjo gjendje është e rëndë për lëvizjen dhe jetën normale të qytetarëve tanë. /2L ONLINE/