(2L ONLINE) – Përfaqësuesit e PDK-së së Gjilanit kanë bërë me dije se kanë dorëzuar në prokurorinë e Gjilanit, tri dosje për tenderë, në të cilat, sipas tyre, ka bazë të plotë për t’u hetuar kryetari i komunës, i cili ka bërë ndërhyrje të dhunshme në aktivitetet e zyrës së prokurimit, duke kërkuar realizimin e projekteve pa procedura të prokurimit, ka lejuar rritje enorme deri në 700% të shpenzimeve për projektet e tenderuara, si dhe ka ndërprerë personalisht mbi 10 kontrata me operatorët ekonomik, duke shkelur plotësisht ligjin e prokurimit dhe kështu duke bërë vepra penale.
Por, në anën tjetër, kjo si duket, nuk e ka trembur fare kreun e komunës Lutfi Haziri i cili iu është kundërpërgjigjur këtyre akuzave duke i cilësuar ato shpifje dhe duke paralajmëruar se ata mund të përballen me ligjin për shpifje. Sipas tij, në PDK po jetojnë me tensionin e zgjedhjeve të humbura nga ta dhe ka kërkuar që të largohen inatet.
Përndryshe, Sahit Abazi shefi grupit të Këshilltarëve të PDK-së në KK të Gjilanit ka thënë se janë të shqetësuar rreth zhvillimeve të fundit, të cilat po ndodhin nga koalicioni qeverisës lokal LDK-AAK dhe kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. Komuna e Gjilanit tanimë pothuajse është e privatizuar nga ky koalicion dhe nga Lutfi Haziri, ku për gjashtë muaj të gjatë punës nëpër institucionet komunale nuk kanë respektuar asnjë rregullore, ligj dhe procedurë ligjore.
“Problem shumë serioz, është edhe qasja e kryetarit të komunës së Gjilanit ndaj të të gjitha institucioneve komunale, duke filluar nga ndërhyrjet joligjore në Kuvendin Komunal, e deri te shkeljet serioze të ligjit të prokurimit, duke shpërblyer me tenderë kompanitë të cilat e kanë financuar fushatën e Lutfi Hazirit në vitin 2013 dhe të LDK-së në vitin 2014, ndërsa në anën tjetër po ushtron dhunë institucionale ndaj disa operatorëve ekonomik që kanë kontrata të nënshkruara me komunën e Gjilanit”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, PDK në Gjilan në vazhdimësi është angazhuar dhe ka shprehur vërejtjet e saja për parregullësitë dhe keqpërdorimet e mëdha të cilat po ndodhin me buxhetin e komunë së Gjilanit, rritjen enorme të shpenzimeve në komunë, mungesën e plotë të investimeve, si dhe dështimin e plotë të kësaj qeverisje komunale në Gjilan.
E këshilltari tjetër i PDK-së Riad Rashiti ka bërë me dije se sot, kanë dorëzuar në prokurorinë e Gjilanit, tri dosje për tenderë, në të cilat ka bazë të plotë për t’u hetuar kryetari i komunës, i cili, siç tha Rashiti, ka bërë ndërhyrje të dhunshme në aktivitetet e zyrës së prokurimit, duke kërkuar realizimin e projekteve pa procedura të prokurimit, ka lejuar rritje enorme deri në 700% të shpenzimeve për projektet e tenderuara, si dhe ka ndërprerë personalisht mbi 10 kontrata me operatorët ekonomik, duke shkelur plotësisht ligjin e prokurimit dhe kështu duke bërë vepra penale.
“Ne sot kemi paraqitur në prokurori të Gjilanit, dëshmitë tona me 41 faqe dokumentacion, për tu hetuar kryetari i Gjilanit, për këta tre tenderë: Tenderin për furnizimin dhe montimin e skajoreve për rrugica,
Tenderin për Dezinfektimin, Dezinsektimin dhe Deratizimin dhe Ndërprerja e kontratës për sigurimin fizik të objekteve komunale dhe shkollore, dhe mbi 10 kontrata tjera të ndërprera drejtpërdrejt nga ana e kryetarit”, ka thënë Rashiti.
Përveç këtyre rasteve të paraqitura, ai tha se kemi të bëjmë edhe me dhënien e tenderëve me shuma fiktive financiare, si shembull rasti i blerjes së tepihëve dhe perdeve për zyrën e kryetarit të komunës blerjen e rrobave për zyrtarët komunal, për komunikim me vala për 35 zyrtarë komunal etj. Mbi 60% e tenderëve në komunën e Gjilanit po jepen pa procedurë të hapur, por vetëm përmes formës së kuotimit, kështu duke e dëmtuar rëndë buxhetin e komunës së Gjilanit.
E nga ana e tij, kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri duke iu kundërpërgjigjur këtyre akuzave, ka thënë se ato janë shpifje dhe se ata mund të përballen me ligjin për shpifje.
“Më vjen keq që po vazhdojnë edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve lokale me jetua me tensionin e rezultatit zgjedhor. Ai është verdikt qytetar, nuk është verdikt i imi. Ka ardhur koha ta largojnë inatin dhe inercionin në aktivitete”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se përveç në rastin e procesit të dezinsektimit në Gjilan, që ka qenë vlerë e lartë dhe e ka rekomanduar anulimin e menjëhershëm, proceset tjera që kanë kaluar janë në përputhje të plotë me ligjin, nuk ka asnjë vërejtje nga subjektet e caktuara. Në momentin që adresohen të kryetari pakënaqësi e ankesa edhe nga grupet politike edhe të qytetarëve, shqyrtohet lënda dhe e rekomandon organit shqyrtues të prokurimit të ndërmarrë vendime ligjore.
“Këta që po tentojnë përmes shpifjeve të nxjerrin lëndë, po duan që të fshihen prapa paligjshmërive dhe dallavereve që janë gjetur në komunë, të cilat kanë me u zbardhë herët a vonë. Prokuroria në Gjilan ua ka tërhequr vërejtjen individëve të caktuar në Gjilan, që shpifja është vepër e cila sanksionohet me ligj. Dega e PDK-së në Gjilan e di dhe i është bërë e qartë që çdo shpifje, lajm i rrejshëm dhe botim i rrejshëm sanksionohet si vepër”, ka thënë në kundërpërgjigjen e tij kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. /2L ONLINE/