(2L ONLINE) – Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në asamblenë komunale të Gjilani, ka shprehur të premtën shqetësimet në lidhje me ndërtimet e mëdha pa leje që po ndodhin në komunën e Gjilanit për çka kanë fajësuar udhëheqjen e komunale që është fajtore për këtë.
Riad Rashiti , këshilltar komunal i PDK-së ka thënë në emër të Grupit se Gjilani është në anarki dhe kaos total dhe se ndërtimet pa leje ndërtimore po ndodhin edhe para syve të kryetarit të komunës Lutfi Hazirit, sepse ato po bëhen madje edhe në afërsi të selisë së kryetarit apo edhe shtëpisë së tij.
Rashiti ka fajësuar në rend të parë kreun e komunës Lutfi Hazirin, duke thënë se ai më tepeëer po merret me “blloka’, duke aluduar në bllokun (LDK – AAK-Nisma), sesa me atë që duhej të merret e për të cilat gjëra edhe është votuar nga qytetari.
Ai tha se në Gjilan janë duke u bërë abuzime të mëdha në sektorin e ndërtimit nga ana e Inspeksionit dhe Urbanizmit, duke lejuar ndërtime jashtëzakonisht të shumta kudo nëpër qytet, pa asnjë leje ndërtimore dhe jashtë planit rregullues urbanistik.
“Aktualisht në qytetin e Gjilanit ne i kemi identifikuar mbi 55 objekte të cilat janë duke u ndërtuar pa leje ndërtimore nga Urbanizmi, me një sipërfaqe rreth 45 mijë m/2 të destinuara për banim dhe lokale afariste. Ky zhvillim i ndërtimeve ilegale po e dëmton buxhetin komunal të këtij viti në vlerë prej më së paku 176 mijë euro”, ka thënë Rashiti.
Sipas itj, kjo gjendje është e papranueshme dhe jashtëzakonisht e dëmshme që po i ndodhë komunës së Gjilanit duke u shkatërruar dhe shëmtuar pamja e qendrës së qytetit, po zhvlerësohen të gjitha planet rregulluese urbanistike në të cilat është investuar dhe shpenzuar mjaft shumë në vitet e kaluara nga qeverisja e PDK-së, po dëmtohet jashtëzakonisht shumë buxheti komunal përmes korrupsionit i cili është bërë dukuri në këtë vit në disa nga institucionet e komunës në Gjilan. Janë duke u bërë falsifikime të dokumentacionit nga ana e Inspeksionit, ku kemi raste që një leje ndërtimore, po shfrytëzohet nga më shumë se një investitorë.
“Është interesant fakti, që të gjitha këto zhvillime shkatërruese që po ndodhin mu në qendër të qyteti, janë shumë afër zyrës së kryetarit të komunës dhe përballë shtëpisë së Lutfi Hazirit. Dhe deri më tani nuk është marr asnjë veprim për të parandaluar dhe penguar këtë valë të jashtëzakonshme të ndërtimeve pa leje që po ndodhin muajve të fundit në qytetin e Gjilanit.
Lutfi Haziri po i fton jaranët nga Prishtina që të vijnë në Gjilan, për të ndërtuar edhe pa leje ndërtimore, sepse atje Shpend Ahmeti ia ka pamundësuar një gjë të tillë”, ka thënë Rashiti.
Ai shtoi se për të argumentuar se këto objekte ndërtimore janë duke u ndërtuar pa leje, PDK ka marr përgjigje zyrtare nga Drejtoria e Urbanizmit, e cila ka vërtetuar se objektet kolektive që po ndërtohen në qendër të qytetit të Gjilanit, nuk janë pajisur me leje ndërtimore dhe nuk ka aplikuar fare për të ndërtuar legalisht sipas kushteve urbanistike. Ndërsa Drejtoria e Inspeksionit deri më tani nuk ka marr asnjë veprim për të penguar apo rrënuar këto ndërtime të cilat me të madhe po ndodhin sot në qendër të qytetit. Dhe krejt kjo që po ndodhë është duke u lejuar nga i pari i komunës së Gjilanit, i cili është përgjegjës kryesor për këtë gjendje e cila po e shkatërron pamjen e qytetit.
“Këto mosveprime të institucioneve komunale dhe abuzimet të cilat po ndodhin nga zyrtarët komunal të Gjilanit, tani është duke i hetuar edhe Policia e Kosovës, njësia për krime të rënda ekonomike, e cila është duke intervistuar përgjegjësit të cilët po lejojnë këto ndërtime të pa leje”, ka thënë Riad Rashiti, këshilltar Komunal i PDK-së. /2L ONLINE/