Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përkatësisht Grupi i Këshilltarëve të saj në Kuvendin Komunal të Gjilanit edhe njëherë i ka treguar arsyet e braktisjes së seancës së sotme. Ata vazhdojnë ta quajnë të papërgjegjshëm kreun e Komunës, Lutfi Hazirin – Lutën, sa i përket asaj që ai akoma nuk e ka formuar qeverisjes komunale.
Një gjë të tillë Haziri e kishte paralajmëruar kohë më parë, bile duke qenë konkretë, për një “të marte”, por se ikën disa të marte dhe kjo nuk ndodhi, ndërkohë që sot para kuvendarëve, kryetari Haziri ka paralajmëruar se nesër, e premte, do ta bëjë publik vendimin e tij, duke thënë se ekzekutivi i ri do të jetë i përbërë nga LDK-AAK-AKR dhe komunitetet, ndërkohë që kjo mundësi i është lënë edhe subjektit Nisma, me të cilën po ashtu janë zhvilluar besime, që deri nesër në ora 11:00, t`i dërgojë propozimet e saja, nëse dëshiron të jetë pjesë e këtij koalicioni. Pjesë e kësaj qeverisje do të jetë, sipas Hazirit, edhe shoqëria civile, e cila do të udhëheq sektorë të rëndësishëm.
Por, Shefik Surdulli, nga PDK-ja e Gjilan, anëtar i Kuvendit, ka thënë se nuk i beson Lutës, se do ta bëjë një gjë të tillë as nesër. Ai tha se Luta kishte premtuar një të marte se do ta bëjë publike ekzekutivin e tij, por u pa se kjo nuk ndodhi dhe as të premten Luta nuk do të mund ta bëjë ekzekutivin. “Ai krejt çfarë mund të bëjë është që ta falë xhumanë pasi është e premte, por jo ta bëjë ekzekutivin, pasi u pa tani më se sa është i papërgjegjshëm në këtë çështje”, ka thënë Surdulli.
Ai u shpreh i bindur se as të premten nuk do të ndodh bërja e qeverisë bile do të kalojnë edhe javë dhe nuk do të kemi qeveri, sepse këto janë vetëm paralajmërime që u panë, “me të marte”, që nuk prodhuan efekt.
Surdulli tha se qeverisja e Hazirit është një qeverisje e keqe dhe se për PDK-në kjo nuk është ndonjë befasi, por ky subjekt është i shqetësuar se për këtë fakt po pësojnë qytetarët. Ai tha se Haziri e ka lënë qytetarin pa adresë, duke ia afruar një qeverisje pa adresë. Qytetarët jo që do të mund t’i zgjidhnin hallet në këtë pushtet edhe po të emëroheshin drejtorët, por së paku, do ta kishin një adresë ku do të qanin hallin e tyre.
Ndërsa, Riza Abdyli, shefi Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, tha se bojkoti, braktisja e seancës erdhi si rezultat i papërgjegjshmërisë së pushtetit, përkatësisht kryetarit Haziri me vonesat në formimin e qeverisjes komunale.
Ai tha se nuk duan të jenë pjesë e fajit të fshehjes së problemit. Abdyli tha se partia në pushtet prej se ka marr mandatin e qeverisjes ajo ende nuk ka filluar të qeverisë. Dhe se 5 muaj nga certifikimi i rezultateve, kryetari i komunës nuk ka arritur ta formojë qeverinë komunale, ndërkohë që problemet të cilat janë në përgjegjësi të institucioneve, janë grumbulluar dhe institucionet përkatëse vazhdojnë të degradojnë si pasojë e mungesës së udhëheqjes.
Ai tha se PDK do të jetë një opozitë, dhe se asnjëherë nuk ka dashtë të bëhet pjesë e një qeverisje të keqe, ndërsa veprimet e PDK-së, si shembull votimi i statutit, të kryesueses e vendime tjera, i kanë mbështetur për të mos qenë bllokues dhe për të mundësuar që Haziri ta bëjë ekzekutivin sa më parë, por që mjerisht, siç thotë Abdyli, po shihet se ai nuk po mund ta bëjë akoma.
Imrane Thaqi, po ashtu kuvendare e PDK-së ka bërë të ditur për një veprim të çoroditur të këtij pushteti, pasi siç tha, ajo ishte zgjedhur nga Kuvendi që të jetë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, por se pushteti kishte dërguar dikë tjetër në vend të saj, duke dal mbi vendimin e Kuvendit. Edhe, kjo sipas saj, është tregues për logjikën e të qeverisurit nga ky pushtet, dhe se krahas vërejtjeve tjera, e arsyetojnë veprimin për braktisje të seancës.
Ndërsa, Erlehta Osmani, po ashtu anëtare e Kuvendit nga radhët e PDK-së tha se kishin vendosur të bojkotojmë seancën e sotme sepse edhe këta drejtues e dinë shumë mirë se e kanë neglizhuar në maksimum krijimin e drejtorive, dhe proceset për zhvillimin e komunës janë duke u vonuar.
“Në pikat e rendit te ditës të kësaj seance ishte dhe një temë delikate që prekë studentët tanë, bursat komunale që ky pushtet prapë po luan me to. PDK-ja gjatë qeverisjes së saj ka qenë iniciatore e bursave dhe kanë funksionuar në mënyrë të rregullt. Ne si këshilltarë i mbështesim bursat për studentë dhe kërkojmë që numri i bursave të rritet”, ka thënë ajo.
Por, siç u shpreh Osmani, në një moment që institucionet nuk funksionojnë, fajtor është vet pushteti për mosfunksionimin e tyre. Nuk mund te fajësosh një parti opozitare, kur pushtetin e ka kjo parti në dorë, thotë ajo.
Megjithatë, në PDK u tha se nëse Haziri formon qeverinë, krijon ekzekutivin dhe fillon të punojë, ata do t’i kthehen Kuvendin dhe angazhimin e tyre politik, përveç formave tjera, do ta bëjnë edhe në këtë institucion, për të mbrojtur interesat e qytetarëve.