Formimi i Komisionit hetimor për privatizimin e PTK-së, do të jetë pikë e rendit të ditës edhe në seancën e radhës të Kuvendit, më 17 tetor. Ndryshe nga hera e shkuar kur e braktisi seancën, PDK-ja ka vendosur që t’i dërgojë emrat e tyre në komision, raporton KTV. Kështu ka thënë Adem Grabovci, i cili gjatë deklarimeve të tij ishte shumë herë i paqartë nëse PDK-ja do ta mbështesë në këtë seancë formimin e Komisionit për hetimin e PTK-së. “Ne i mbështesim dhe jemi të interesuar që gjithçka të jetë transparente dhe të gjitha dyshimet të hiqen dhe nëse konstatohet se ka pasur shkelje, ne jemi ithtarë të asaj që shkelësit duhet të ndëshkohen në mënyrë absolute, kushdo qoftë ai, sepse ligji vlen për të gjithë dhe duhet të respektohet. Ne do të përkrahim formimin e këtij komisioni, do t’i dërgojmë emrat e ekspertëve, apo anëtarëve të komisionit, por jo në afat të pakufi”, ka thënë Grabovci. Ndryshe kishe thënë në seancën e kaluar, por tash kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se kryetari dhe anëtarët e komisionit do të duhet të votohen nga Kuvendi. “Mund të pengohet formimi i Komisionit nëse nuk i dërgojnë të gjitha grupet parlamentare emrat e tyre për këtë komision. Nëse ky komision nuk votohet dhe nuk merr pjesë shumica, sigurisht që mund të rrezikohet funksionimi i tij”, ka thënë tash Krasniqi. Por, LDK dhe Vetëvendosje insistojë që Komisioni, megjithatë, është i formuar përderisa i ka 40 nënshkrimet e nevojshme. Ndërkohë, Ardian Gjini i AAK-së u ka bërë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në seancë dhe jo ta bojkotojnë atë atëherë kur në rend ditë ka gjëra që nuk u pëlqejnë.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen për herë të parë katër projektligje: Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe Projektligji për aktet normativ.
Në vazhdim të seancës do të emërohen anëtarët e Organit Përzgjedhës të Pavarur për zgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kurse në përfundim të seancës do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës.
Si rëndom në seanca të rregullta të Kuvendit të Kosovës, deputetët do të kenë rastin të ngrenë çështje jashtë rendit të ditës dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Në takimin e sotëm Kryesia ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për katër anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke e ngarkuar Administratën e Kuvendit që, në bazë të dispozitave të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të shpallë konkursin për kandidatët për anëtar të Këshillit.
Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, janë njoftuar me nismën e Zyrës së Presidentes për hartimin e Projektligjit të ri për Falje, si dhe për vizitën zyrtare Komisionit për Integrime Evropiane, të realizuar në Zagreb (prej 18-20 shtator 2013) dhe për vizitën e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, të realizuar në Slloveni ( prej 23-26 shtator 2013)./koha.net/