(2L ONLINE) – Sipas opozitës (PDK) në Gjilan, e arritura dhe suksesi i vetëm në qeverisjen e Lutfi Hazirit, është institucionalizimi i keqpërdorimeve të jashtëzakonshme të cilat po bëhen me buxhetin e komunës së Gjilanit. Kjo për faktin se për gjashtë muaj, janë argumentuar dhe konstatuar edhe nga institucionet përgjegjëse, shkeljet e shumta ligjore që janë bërë drejtpërdrejtë nga ana e vet kryetarit të komunës dhe zyrtarëve të tjerë komunal.
Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së Gjilan n një reagim të tyre, në emër ët përbashkët, thonë se faktet flasin se për këtë periudhë, komuna e Gjilanit ka dhënë gjithsej 39 tender, ku 24 prej tyre apo 62% të tenderëve i ka dhënë pa procedurë të hapur, kështu duke e dëmtuar rëndë buxhetin komunal, sepse janë shpenzuar 178,029.00 euro pa konkurrencë të hapur dhe me çmime të kontraktuara sipas marrëveshjeve joligjore me operatorë të caktuar ekonomik.
Më tej në ktë reagim thuhet se “Janë dhënë tre tenderë të tjerë të jashtëligjshëm në vlerë prej 70 mijë euro, pasiqë fillimisht janë kryer punët dhe shërbimet sipas projekteve, e tek pastaj janë zhvilluar procedurat e tenderimit, ku janë bërë kontraktimet me çmime sipas marrëveshjeve joligjore në mes të zyrtarëve komunal (pa kontrata pune por mesitë të kryetarit) dhe operatorëve ekonomik.
Po ashtu është dhënë tenderi për shërbimet e DDD (Dezinsektimit, Dezinfektimit dhe Deratizimin) me çmim për 700% më të lartë se sa vitet e kaluara, që e ka pasur të nënshkruar komuna e Gjilanit. Nga 7 mijë euro vjetore sa ka qenë e kontraktuar deri në vitin 2013, në 53,450.00 euro për vitin 2014 .
Pas ngritjes së shqetësimit tonë si opozitë, për këtë tenderë “Bombastik” të dhënë në vlerë prej 160 mijë euro (për tri vite), kryetari i komunës Lutfi Haziri i ka futur duart e tij në këtë tender duke e anuluar jashtëligjshëm sikurse edhe disa kontrata të tjera për të cilat është duke u hetuar. Ai personalisht ka deklaruar në seancë të Kuvendit Komunal se për këtë tender dyshohet se ka keqpërdorime nga zyrtarët komunal, për të cilët ka thënë se do të kërkoj edhe hetime.
OSHP-ja (Organi Shqyrtues i Prokurimit) e ka konstatuar se janë bërë shkelje ligjore në këtë tender prej 160 mijë euro, kështu duke e urdhëruar (me vendim urdhërese me nr. 239/14) kryetarin e komunës Lutfi Haziri që të nënshkruaj kontratën kornizë më kompaninë fituese të këtij tenderi. Pra kemi të bëjmë me rastin e parë, që tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht shkelja ligjore e bërë nga ana e kryetarit të komunës.
Mirëpo, këtë rast është duke e hetuar edhe prokuroria themelore, pas lëndës së dërguar në prokurori nga këshilltarët komunal të PDK-së në Gjilan, por të cilët kanë dërguar edhe katër lëndë tjera për hetime, për të cilat nuk dyshohet, por argumentohet se janë bërë shkelje ligjore dhe procedurale, që sipas ligjit konsiderohen vepra të rënda penale.
Ky ri-formatizim i qeverisjes komunale të cilën e ka filluar Lutfi Haziri, po jep rezultatet e para konkrete. Drejtorin të cilin e ndërroi tri herë brenda gjashtë muajsh, tash Menaxher i Zyrës së Prokurimit, ka rezultuar se dy tenderët e parë ka dhënë në konflikt të rëndë me ligjin e prokurimit publik. Të parin për Manifestimin Kulturor “Ditët e Mërgatës”, ku një muaj pas kryerjes së këtyre aktiviteteve, ka dhënë tenderin pa procedurë të hapur, në vlerë prej tetë mijë euro dhe së dyti tani dha tenderin tjetër në vlerë prej mbi 160 mijë euro apo 700% më të kushtueshëm se sa vitin e kaluar.
Pra, suksesi i Lutfi Haziri është sepse tani ka arritur të krijojë një “Flash” drejtor, i cili din të luajë me shumë “Flash” tenderë, ai është “Profesional” dhe me titull “Master”. Ndërsa pritet që këtë drejtor, në sezonin tjetër të transfereve ta dërgojë në drejtorinë e Inspeksionit, aty ku qarkullimi i parasë së qytetarëve bëhet “Flash”.
Të arriturat e kësaj natyre në Gjilan, jemi të bindur se nuk do të mungojnë nga kjo qeverisje grabitqarësh, e cila nuk e ka aspak për qëllim realizimin e interesave të qytetarëve, që i mashtruan keq gjatë fushatës elektorale por fatkeqësisht edhe sot ashtu po mundohen, por ata kanë për qëllim realizimin e interesave personal dhe klanore të pushtetit qeverisës me institucionet e komunës së Gjilanit”, thuhet në fund të reagimit të Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së Gjilan. /2L ONLINE/