/2L ONLINE/ – Partia Demokratike e Kosovës, dega Gjilan përmes një komunikate të radhës ka bërë me dije,sipas saj, se Kompania Publike “Hidromorava” është bërë çerdhe e punësimeve familjare të pushtetarëve në Gjilan. Shtrirja e fuqisë politike në këtë kompani publike është bërë aq e madhe, sa që gjithçka aty menaxhohet nga vendimarrjet joligjore dhe në interes të familjarëve që janë të zyrtarëve dhe të aktivistëve të LDK-së.
“Pas punësimeve të shumta familjare të drejtorëve të komunës së Gjilanit, në këtë kompani publike tani ka filluar sezoni i ri i punësimeve, në hapjen e së cilës Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani punësoi kunatën e tij si zyrtare në “Hidromoravë”, ndërsa kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri e punësoi mikun e tij (vëllaun e gruas) duke e transferuar në Gjilan nga njësia në Kamenicë, të cilin fillimisht para pak muajsh e kishte punësuar atje”, thuhet tutje në ktë komunikatë të PDK-së.
Më tej, sipas PDK-së, edhe në ndërmarrjet tjera publike në Gjilan, “Kosovatrans”, “Eko-Higjiena” (PPP), si dhe në institucionet tjera publike, zyrtarët e LDK-së po garojnë se cili po arrinë më shumë të punësojë të afërm familjarë. Duke keqpërdorur besimin dhe vullnetin qytetarë, e më së shumti të elektoratit dhe votuesve të LDK-së, për të cilët ende nuk ka asnjë vend për punësim, sepse familjarët e zyrtarëve të lartë të LDK-së qenkan prioritet i prioriteteve në mënyrë që të rehatohen që të gjithë, bile duke i ndërruar nga disa vende të punës dhe pozitat e tyre, deri sa të zgjedhin vendin e dëshiruar dhe të preferuar, aty ku fitohet më shumë.
“Qeverisja komunale e Gjilanit, jo edhe rastësisht i ka lënë disa kompani publike pa borde udhëheqëse dhe pa legjitimitet, në mënyrë që ta shfrytëzojnë nga ky vokum institucional, ndërsa në “Hidromoravë” drejtori politik i LDK-së nuk njeh fare që ka bord drejtues dhe duke e shndërruar këtë kompani publike në një seli të partisë, një çerdhe punësimi për familjarët e tij dhe të LDK-së, si dhe një qendër biznesi për përfitime financiare dhe me kontrata të dyshimta e në konflikt ligjor”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan, kërkon që të ndalen këto shkelje të mëdha ligjore si dhe të ndalen keqpërdorimet e mëdha të menaxhmentit në këto kompani dhe të zyrtarëve të lartë të LDK-së. Secili qytetarë duhet të jetë i barabartë në të drejtën për punësim, së paku duhet të jenë të barabartë aktivistët e LDK-së, pa të cilët ju sot nuk do të kishit pasur mundësi, që ti menaxhoni këto ndërmarrje publike dhe institucionet tjera publike. /2L ONLINE/