(2L ONLINE) – Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan e vlerëson se qeverisja e Lutfi Hazirit gjatë tërë vitit 2014 e ka keqpërdorur institucionin më të lartë të komunës së Gjilanit, pra Kuvendin Komunal të cilin e ka bërë instrument për realizimin e interesave personale dhe të klanit të tij qeverisës, kështu duke luajtur sipas dëshirës së tij me 35 anëtarët e Kuvendit Komunal.
Riad Rashiti anëtarë i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, thotë se më 17 dhjetor është thirrur seanca “e rregullt” e Kuvendit Komunal, për të premten më datë 19 dhjetor 2014, pra vetëm dy ditë nga mbajtja e kësaj seance u janë dërguar ftesat, me arsyetimin se kryetari i komunës Lutfi Haziri do të udhëtoj jashtë vendit, dhe pasi në rendin e punës është paraparë edhe raporti i punës kryetarit të Komunës për vitin 2014, atëherë për ta shfrytëzuar prezencën e Kryetarit jemi të detyruar që ta thërrasim seancën e XIII për këtë datë.
“Do të thotë që ne si anëtarë të Kuvendit Komunal, duhet ti përshtatemi agjendës lazdruese të kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili për 12 seanca të këtij viti, asnjëherë nuk ka qenë prej fillimit deri në fund sa ka zgjatur puna e Kuvendit Komunal edhe pse është i detyruar të merr pjesë për tema të rëndësishme. Këtij kryetari të papërgjegjshëm komuna e Gjilanit i ka ardhur te hunda, sepse është bërë pengesë për realizimin e ambicieve të tija politike, e kemi deklaruar disa herë se Lutfi Haziri, mendjen, punën dhe gjumin po e bënë në Prishtinë dhe aspak nuk po i intereson qytetari i Gjilanit” thotë Rashiti.
Ai duke përçuar qëndrimin e Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së thotë se kjo formë e thirrjes së seancës së Kuvendit Komunal nuk i plotëson as kushtet e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme, e cila sipas ligjit parasheh që për seancë të jashtëzakonshme, duhet së paku tri ditë më herët të dërgohen ftesat anëtarëve të KK. Për kryetarin e komunës nuk ekzistojnë ligjet e Republikës së Kosovës, ligji për Vetëqeverisje Lokale, Statuti i komunës dhe rregullorja e punës së Kuvendit Komunal, gjë që dëshmon se qeverisja e tij ka bërë anarki edhe institucionin më të lartë në komunë, Kuvendin Komunal.
“Po ashtu nuk është dërguar materiali për pikën e rendit të punës që ka të bëjë me raportin e punës së kryetarit të komunës. Kjo tregon më së miri gjendjen e mjerueshme të vet kryetarit të komunës Lutfi Haziri, sepse sigurisht se nuk ka as çfarë të sjellë para anëtarëve të Kuvendit për punën njëvjeçare të qeverisjes së tij totalisht të dështuar”, ka thënë Riad Rashiti nga Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan. /2L ONLINE/