(2L ONLINE) – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në Gjilan, subjekt ky opozitë në këtë komunë vazhdon me kritika në adresë të pushtetit, që bëhen përmes Grupit të Këshilltarëve të PDK-së. Kohë më parë, PDK duke adresuar kritika në dresë të pushtetit për keqqeverisje e kishte akuzuar udhëheqjen komunale se e ka bërë Gjilanin qytet, të mushkonjave ditë më parë, se e ka bërë qytet septik dhe tani përmes një komunikate në emër të këtij Grupi, kryeqytet i deponive duke e shoqëruar reagimin e tyre edhe me disa fotografi.
Ja reagim i bërë nga Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan
Komuna e Gjilanit po rrëshqet shpejtë drejtë katandisjes institucionale, deri në rrezikimin e jetës së qytetarëve të saj, të cilët janë të kërcënuar nga sëmundje dhe epidemi të ndryshme si pasojë e gjendjes jashtëzakonisht të keqe të ambientit, që është krijuar nga deponia rajonale të mbeturinave dhe të deponive të egra përreth saj dhe kudo nëpër komunën e Gjilanit.
Pakujdesia institucionale dhe papërgjegjësia e komunës së Gjilanit, ka lejuar që sot banorët e disa lagjeve të qytetit dhe fshatrave përreth saj si Uglarë dhe Velekincë, të jenë të rrezikuar skajmërishtë nga sëmundjet dhe epidemitë e ndryshme, të cilat mund të vijnë nga ambienti totalisht jashtë kujdesit dhe kontrollit.
Derdhja e ujërave të zeza të cilat kanë filluar të dalin jashtë deponisë rajonale (me vendosjen e qëllimshme të gypave) janë shumë herë më të rrezikshme sesa ujërat e zeza të zakonshme, sepse në deponinë e mbeturinave ka lëngje të ndryshme, të cilat zhvillojnë shumë reaksione kimike dhe të cilat e rrisin toksisitetin e tyre. Prandaj, sipas standardeve kërkohet izolim i plotë i deponive dhe që në asnjë mënyrë, mos të rrjedhin ujërat e zeza jashtë saj. Sepse rreziku është jashtëzakonisht i lartë, nëse këto ujëra të zeza të arrijnë në ujërat nëntokësor dhe duke e ditur se një pjesë e madhe e qytetarëve, vet furnizohen për nevoja familjare nga këto ujëra nëntokësor.
Kjo deponi rajonale e mbeturinave në Gjilan, është hapur në qershor të vitit 2003 e financuara prej BE-së me vlerë prej 3 milionë euro. Këtë projekt e ka përkrahur qeverisja e atëhershme komunale të cilën e ka udhëhequr vet Lutfi Haziri dhe i cili e ka nënshkruar kontratën për hapjen e kësaj deponie rajonale. Mirëpo, qysh në atë kohë nuk është planifikuar dhe rregulluar me ligj në kohën e qeverisjes së LDK-së, se si të menaxhohen këto deponi rajonale.
Gjendja e ambientit në Gjilan është degraduar edhe më shumë nga deponitë e egra të cilat janë krijuar në numër të madh nga fillimi i këtij viti, prapë si pasojë e papërgjegjësisë së institucioneve komunale dhe të vet kryetarit të komunës Lutfi Haziri. I cili me ardhjen në pushtet, ka larguar nga puna inspektorët komunal për ambient dhe ka shuar krejt këtë sektorë të inspeksionit komunal. Dhe kështu përnjëherë ka degraduar plotësisht ambienti kudo nëpër të gjitha anët e Gjilanit.
Ne si opozitë, qysh në muajin prill të këtij viti, kemi ngritur si shqetësim krijimin e hovshëm të deponive të egra, ku i kemi paraqitur me fakte se ku janë krijuar ato dhe si është bërë ambienti. Por deri më tani asnjë hap nuk është ndërmarrë nga komuna e Gjilanit. Sepse drejtoria e Inspeksionit nuk ka asnjë zyrtar që merret me kujdesin dhe ruajtjen e ambientit.
Gjatë vizitës së para dy ditëve të drejtorit për zhvillim ekonomik dhe asaj të Eco-Higjienës, është pranuar dhe potencuar edhe nga vetë ata, se kjo gjendje e ambientit është tepër e rëndë edhe nga deponitë e shumta të egra. Mirëpo, kjo qeverisje deri më tani, ka mbetur vetëm duke konstatuar dhe aspak duke vepruar.
Jeta për banorët e lagjeve të qytetit dhe të fshatrave Uglarë dhe Velekincë është bërë e tmerrshme nga kundërmimi dhe kontaminimi i puseve të ujit, si pasojë e rrjedhjes së ujërave të zeza nga deponia si dhe nga hedhja kudo e mbeturinave. Këtë gjendje e ka rënduar edhe më shumë numri milionësh i mushkonjave, e të cilat në këtë vit janë ndier tepër komod nga trajtimi i mirë që i është bërë në kryeqytetin e tyre në Gjilan.
Ne si opozitë, i ftojmë drejtuesit e institucioneve komunale dhe vet kryetarin Lutfi Haziri, që të vizitojnë në mbrëmje (llogariteni se po shkoni për ndonjë votë, sikur në fushatë elektorale), këto vendbanime dhe të shijojnë për pak minuta erërat e padurueshme, ku këta banorë jetojnë me muaj të tërë në këtë gjendje, si pasojë e keqqeverisjes dhe papërgjegjësisë komunale.
Ju kryetar Haziri, i keni premtuar jashtëzakonisht shumë banorëve të këtyre vendbanimeve gjatë fushatës elektorale, ku u keni thënë se nga 1 dhjetori do ta mbyllni deponinë e mbeturinave, atë që ju vet e keni hapur në vitin 2003. Andaj tani mos e kurseni kohën tuaj, por shkoni e thuaju vetëm nga dy fjalë atyre banorëve, të cilët i mashtruat vetëm sa për t’ia marrur votat, ndërsa sot merreni me politikat “madhore” të Kosovës, e aspak nuk janë duke ju interesuar problemet e shumta me të cilët po përballen sot qytetarët e Gjilanit. /2L ONLINE/