/2L ONLINE/ – PDK-ja e Gjilani përmes një komunikate ka bërë me dije se pushteti komunal në Gjilan i drejtuar nga Lutfi Haziri (si baba i decentralizimit) po vazhdon me shkelje të shumta ligjore, tash së fundi e ka shndërruar kompaninë publike të ujësjellësit Hidromorava në bahçe të babës, duke i punësuar familjarët e tij dhe të funksionarëve të LDK-së, si kur në Gjilan të mos kishte asnjë njeri tjetër, që ka nevojë dhe dije për punë.
“Pyetja e parashtruar publike ka të bëjë me atë se si ka mundësi që me konkurs publik saktësisht të pranohen fëmijët e drejtorëve të drejtorive komunale, fëmijët e dostave të Lutës dhe bash miku i Lutës (vëllau i gruas). Nuk e kuptojmë heshtjen e aktivistëve të sinqertë, njerëzve të mirë të LDK-së, që lejojnë punësime të këtij lloji përmes formave klandestine. Ne si opozitë i ftojmë organet e hetuesisë, që të merren me këto raste të punësimeve,të cilat janë bërë në kundërshtim me ligjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike. Duke pasur parasysh edhe faktin se aktualisht kjo kompani publike nuk ka bord të zgjedhur dhe nuk ka mundësi që gjatë këtij vakumi institucional të shpallen konkurse dhe të pranohen punëtorë të rinj”, thuhet tutje në reagimin e PDK- së së Gjilanit.
Sipas këtij subjekti opozitar, po ashtu nga muaji janar, është vendimi i qeverisë që inkasimi në teren të ndërpritet, që nënkupton se kompania Hidromorava nuk ka pasur asnjë nevojë që të punësojë ndonjë inkasant të ri. Gjë që tregon se qëllim i vetëm i këtyre veprimeve joligjore shpallja e konkurseve, është punësimi i fëmijëve të drejtorave dhe miqve të Lutës.
Sipas PDK-së kontesti më interesant është shkëmbimi i vendeve të punës, që është bërë në mes të drejtorit të arsimit dhe drejtorit të Hidromoravës. Ku ky i fundit e merr në punë djalin e drejtorit të Arsimit (Ardian Nazmi Musa), pasi që drejtori i Arsimit i bënë transfer pa konkurs gruas së drejtorit të Hidromoravës (Muhamed Suliqi-Teuta Suliqit), nga çerdhja e fëmijëve në shkollën fillore “Rexhep Elmazi” në Gjilan.
PDK-ja e Gjilanit vlerëson se Lutfi Haziri, pasi që është bërë kryetar i Gjilani, nuk i ka mjaftuar vetëm punësimi i gruas së tij në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit por ka filluar edhe farefisin e tij. Sikur në Gjilan të mos kishte asnjë njeri tjetër që e meriton dhe ka nevojë të punojë.
“I bëjmë thirrje kryetarit të komunës, që të ndërpresë menjëherë këto punësime pa marifet dhe të zbatojë ligjet e Republikës së Kosovës dhe të realizojë premtimet elektorale të cilat i ka harruar plotësisht. Sepse elektorati i LDK-së dhe qytetarët e Gjilanit nuk të kanë votuar për këtë lloj qeverisje të pashallëkut”, thuhet në fund të reagimit të Degës së PDK-së në Gjilan. /2L ONLINE/