(2L ONLINE) – Qeverisja një vjeçare e Lutfi Hazirit, do të shpërblehet në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, me një çmim i cili do t’i ndahet atij, pasi që ai si kryetar komune ka arritur me sukses majat e zhvillimit të korrupsionit, mashtrimit qytetarë dhe të mos transparencës në punën e institucioneve komunale.
Kështu së paku thotë Riad Rashti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së.
“Këtë vlerësim të sukseseve të qeverisjes së tij, nuk e kemi bërë ne si opozitë në Gjilan, por për këto të arritura po flasin raportet zyrtare dhe faktet e argumentuara nga institucione të ndryshme, duke filluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), Prokuroria e Shtetit të Kosovës, Zyra e Prokurimit në Gjilan dhe hetimet e Policisë së Kosovës të cilat janë duke u bërë në fushën e ndërtimeve pa leje në qytetin e Gjilanit, thotë Rashiti.
Sipas itj, gjatë këtij viti, OSHP-ja ka marrë 12 vendime përmes të cilave ia ka anuluar 12 dhënie të tenderëve komunës së Gjilanit, me një vlerë e cila arrin shumën prej 3,315,659.14 euro (informacione zyrtare sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosovës). Në këto tenderë sipas OSHP-së janë konstatuar parregullsi të proceseve të tenderimit, duke i dhënë tenderë me çmime më të larta në favor të kompanive të preferuara nga kryetari i komunës, i cili edhe personalisht ka marr vendime me shkrim, duke ndërhyrë në ligjin e Prokurimit Publik, me ç’rast ka dëmtuar shumë kompani të Gjilanit.
Rashti ka thënë se vetëm muajin e fundit, Zyra e Prokurimit në Gjilan ka dhënë 14 tender nga gjithsej 18 sosh, pa procedurë të hapur. Gjatë këtij viti përmes formës së kuotimit, janë shpenzuar 325,897.00 euro për 40 tenderë (apo 55% e numri total prej 75 tenderëve të dhënë) pa procedurë të hapur, në vlera plotësisht të përafërta të tenderëve prej 9 deri në 10 mijë euro.
‘Duhet theksuar se Lutfi Haziri ishte betuar se në qeverisjen e tij, asnjë kompani jashtë Gjilanit nuk do të mund të merr punë përmes tenderëve të komunës. Por ajo mbeti vetëm një deklaratë boshe e tij, sepse gjatë këtij viti 18 kompani jashtë komunës kanë marr punë nga zyra e prokurimit në Gjilan, në një vlerë totale prej 1,023,137.00 euro”, ka thënë Rashiti i PDK-së..
Sipas tij, përveç kësaj, Prokuroria e Shtetit ka ngritur kallëzime penale ndaj inspektorëve në komunën e Gjilanit për korrupsion, ku kanë gjetur fakte të mjaftueshme se qytetarët e Gjilanit i kanë dhënë para inspektorëve komunal për të ndërtuar objekte pa leje ndërtimore. Rashiti shton tutje se po ashtu edhe Njësia për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës në Gjilan, është duke i kryer hetimet ndaj inspektorëve komunal. Sepse aktualisht janë në përfundim e sipër 55 objekte pa leje ndërtimore dhe në kundërshtim me kushtet e planeve rregulluese urbanistike dhe deri më tani asnjë veprim i vetëm nuk është marr nga institucionet komunale dhe as nga vet kryetari i komunës Lutfi Haziri. Për herë të parë pas luftës ka ndodhur që të arrestohet drejtori komunal i Inspeksionit në Gjilan, kemi pasur edhe raste të rrahjes në mes inspektorëve, thotë Rashti, në një reagim në emër të PDK-së..
“Pra shkeljet ligjore janë jashtëzakonisht të mëdha nga shumica e institucioneve komunale, mos respektim të procedurave ligjore dhe kemi mos transparencë të plotë në komunën e Gjilanit. Nuk ka informacione nëse diku tjetër në Kosovë ka një mbyllje të tillë hermetike të informacioneve sikurse në komunën e Gjilanit, ku për 50 kërkesa të drejtuara me shkrim për qasje në dokumente publike dhe informacione të ndryshme nuk kemi marr përgjigje. Vet kryetari i komunës në asnjë nga 12 kërkesa për qasje në dokumente zyrtare nuk i është përgjigjur, kjo tregon më së miri gjendjen reale të një mos transparence të madhe në Gjilan. Të gjitha këto janë shkelje të rënda të ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Rashti.
Ai ka paralajmëruar se si Grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së e kanë vlerësuar këtë gjendje të jashtëzakonshme ekzistuese në komunë dhe do t’ia ndajnë këtë çmim kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, me qëllim të informimit të opinionit për punët dhe veprat, siç thotë Rashti, e “mëdha”, të cilat janë duke u bërë në qeverisjen komunale nga një kryetar komune me korrespondencë. /2L ONLINE/