/2L ONLINE/ – “Komuna e Gjilanit, jo që nuk po merret me zgjidhjen e problemeve të mëdha, por ajo vet po krijon probleme të reja, të cilat po e vështirësojnë edhe më shumë jetën normale të qytetarëve të Gjilanit. Qytetin e Gjilanit ka disa ditë që e kanë mbuluar mbeturinat dhe nuk ka rrugë, trotuare apo hapësira të tjera publike që nuk janë shndërruar në deponi mbeturinash, që po paraqesin rrezik të madh për jetën e qytetarëve të komunës sonë”.
Kështu thuhet në një reagim të PDK-së së Gjilanit, për të vazhduar tutje me atë se: “me problemet në kompaninë Eco-Higjiena, duhet të merret seriozisht dhe me përgjegjësi vet kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, duke i dhënë prioritet zgjidhjes reale dhe të drejtë që është në interesin e Komunës dhe qytetarëve të saj, e jo të krijoj kaos në këtë kompani, duke keqpërdorur dhe manipuluar punëtorët e sajë, për realizimin e interesave të ngushta të disa zyrtarëve të lartë komunal”.
“Ka tri vite që qeverisjes komunale të Lutfi Hazirit, (qëllimisht) nuk i ka interesuar aspak implementimi i marrëveshjes së Partneritetit Publiko Privat, i realizimit të investimeve dhe zhvillimi i kësaj kompanie”, thuhet tutje në këtë reagim.
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, i ka bërë thirrje publike kryetarit të Gjilanit, që të ndërpresë lojërat dhe prapaskenat e organizuara në këtë kompani, të mos luaj edhe më tutje me ndjenjat e punëtorëve të Eco-Higjienës, por të angazhohet për implementimin e marrëveshjes dhe të investimeve në këtë kompani dhe t’i ofrojë qytetarëve të Gjilanit shërbime cilësore, ambient të pastër dhe siguri në shëndetin e tyre, e jo t’i rrezikoj ata përmes ndonjë epidemia, e cila, tani, fare lehtë mund të shkaktohet nga bërlloku që po e mbytë qytetin. /2L ONLINE/