Partia e Drejtësisë e ka mohuar lajmin e publikuar në disa portale, se kinse deputetët e saj do të kalojnë në Bllokun Opozitar.PD e konsideron se një dezinformat e tillë, ka për qëllim lëkundjen e elektoratit dhe krijimin e amullisë politike, në kohën kur koalicioni Misioni i Ri fitoi besimin e sovranit që të formoi qeverinë e re.
“PD-ja ka hyrë në garë në koalicion me PDK-në dhe si pjesë e Misionit të Ri, do të angazhohet për realizimin e projekteve që u mbështeten nga zgjedhësit, dhe për çka, iu besua udhëheqja e vendit për periudhën katër vjeçare. Konsiderojmë, se iniciativa e bllokut opozitar dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe se duhet të jetë në pajtim me kushtetutën e vendit, për çka, në një vend juridik e demokratik, ku sundon ligji, kanë përgjegjësi, si pozita ashtu edhe opozita”, thuhet në reagimin e PD-ës.
Po ashtu, Partia e Drejtësisë është në pritje të rezultatit përfundimtar të numërimit të votave dhe certifikimit të zgjedhjeve dhe pret që të formohet qeveria e re e udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe partnerët e koalicionit.
“PD është e përkushtuar që të kontribuoi në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe demokratike, të cilat garantojnë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në BE dhe Nato”, thuhet ne reagim.