Po të varej pavarësia e Kosovës nga Serbia, Serbia kurrë nuk do të pranonte këtë çështje ta diskutojë. Por, është padyshim shteti i pavarur i Kosovës, institucionet e tij, njohjet nga rreth 100 shtete etj., që e kanë detyruar Serbinë të ulet në tryezën e bisedimeve përballë përfaqësuesve të Kosovës, ku do të duhej diskutuar për çështjet që zakonisht fqinjët i diskutojnë mes veti.
Shkruan: Ismajl Kurteshi
Mungesa e platformës së shtetit të Kosovës për bisedime me Serbinë që është si rezultat i mungesës së konsensusit të subjekteve politike shqiptare të Kosovës për këtë çështje. Mungesa e propozimeve, nga pala kosovare, të çështjeve që duhet të diskutohen, mungesa e kërkesave të palës kosovare, si dhe mungesa e listës së çështjeve për të cilat nuk mund të negociohen, siç është pavarësia e Kosovës etj. Lëshimi pe me lehtësi, nga ana e delegacionit të Kosovës, për çështje jetike për shtetin, karshi kërkesave të pabaza të Serbisë, ka mundësuar që të rriten apetitet e Serbisë, karshi Kosovës.
Vuqiqi duke e shfrytëzuar paaftësinë, papërgjegjësinë dhe mospërgatitjen e delegacionit tonë të mangët, lanësoi idenë, se për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton ndoshta edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, duhet që të dy palët të bëjnë kompromise. Ideja e Vuqiqit, për kompromise të dyanshëm, çuditërisht është përvetësuar me lehtësi edhe nga disa politikanë shqiptarë, të cilët po harrojnë se Serbia ka ushtruar politikë gjenocidale mbi popullin autokton shqiptar, ka shpopulluar territore të gjera shqiptare, ka asimiluar shumë shqiptarë, borxhe këto ndaj shqiptarëve që Serbia nuk ka si t’i paguajë.
Politikanët që dështuan t’i mbrojnë interesat e Kosovës në negociatat e zhvilluara gjatë viteve të pasluftës, me pranimin e idejës së Vuqiqit për kompromise të reja, po e bëjnë edhe një gabim të pafalshëm, jo vetëm pse po e barazojnë agresorin me viktimën, por edhe se po e gjymtojnë pavarësinë dhe po kontribuojnë në krijimin e një shteti jofunksional, ashtu si ai i Bosnjës.
Politikanët e Kosovës duhet të mos harrojnë se Kompromise me pavarësinë e Kosovës nuk ka, zgjidhja gjysmake nuk është zgjidhje. Kosova ose është e pavarur, ose nuk është fare. E këtë dilemë e ka hequr përfundimisht lufta e shqiptarëve gjatë tërë kohës sa ka qenë e robëruar nga Serbia, deri në pavarësimin e saj, prandaj pavarësia e Kosovës është fakt i pamohueshëm e që nuk diskutohet me askënd e njohu apo nuk e njohu Serbia.