Përderisa historia shqiptare na ka mësuar se nënat shqiptare për nga heroizmi janë identike sikurse ato Spartane. Kur nënat spartane i çonin djemtë e tyre në luftë, i porosisnin; “Ose me këtë shpatë kthehu krenar ose mos u kthe në qoftë se del humbës në një betejë”.
Shkruan: Premtim Fazliu
Ne, shqiptarët ballëlartë krenohemi me Mbretëreshën Teutë, me Nënën Qamile (nënën Qëndresë), me Shotë Galicën, Majlinda Kelmendin, Rita Oran, Dua Lipan, Era Istrefin, etj, ndërsa në odat tona mbizotëron një praktikë patriarkaliste, e cila po kalon tashmë në metastazë, duke treguar muskujt, zotërimin dhe pushtetin.
Supozoj (me argument) se të jesh burrë nuk do të thotë të mbash mjekërr, të të vie aroma kundërmuese e sqetullave, as të kesh muskuj, aq më pak t’i përdorësh të gjitha këto për ta lënë anash një grua.
Sot, ne çdo ditë shohim dhe përjetojmë momente të paskrupullta të “elitës” shtetërore, popullore dhe publike, skena ku sheh tmerrin, nëpërkëmbjen dhe komplekset “burrërore” karrshi gjinisë së kundërt.
Me gjoks të ngritur, burrështetasit tanë me krenari na shfaqen gjithandej, sipas tyre, për t’i shfaqur të arriturat dhe sukseset e jashtëzakonshme, krejtësisht të pavarur nga gratë. Një copë koc (asht) për çdonjërin. Në një shtet ku nuk funksionon asgjë prej gjëje, ku demokracia dhe ligji janë veçse fjalë të shkruara në letër, aspirojmë perendimin.
Po më thoni ju lutem, kënd e kishit përballë kur tentoni të bëheni pjesë e Europës?! Më thoni ju lutem, kush nga diplomatët ndërkombëtarë ju priti në takim?! Po patët përgjigje, ju lutem më bëni me dije! Nuk trajtohet gruaja me respekt, vetëm se ua obligon Kushtetuta e Kosovës. Nuk trajtohet gruaja me nder vetëm kur ju nevojitet për Fushata Zgjedhore dhe për të kapur ndonjë votë. Ajo ka të drejat e saj, ka diapazonin intelektual që shumë prej ne burrave nuk e posedojmë. T’i heqim maskat, t’i heqim komplekset. Pajtohem me faktin se as mosha, as gjinia, as kombësia nuk është parametër që mat diturinë apo paditurinë e tij/saj. Mirëpo, të mbetesh primitiv në sjellje, të shfaqësh mentalitetin mediokër e fshataresk në arenën ndërkombëtare, nuk është aq fakt e as nevojë.
Europa nuk njeh BAC, e nuk njeh as INXHE.
Europa njeh dhe kërkon partnerë liberal, demokratik dhe modern. Dikë që njeriun e cilëson si qenie të njejtë dhe të barabartë në të gjitha aspektet.
Rishtazi, ne po shohim dhe po përjetojmë se si kjo kastë patriarkale e shtetit tonë, përveç se janë të kualifikuar me sindromën e të qenurit në qendër të vëmendjes (Attention deficit hyperactivity disorder), ata bëjnë gjithçka për t’i shuar apetitet e veta personale, qofshin ato edhe në kurriz të popullit apo të territorit shtetëror.
Pra, femra shqiptare gjatë gjithë historisë, me dinjitet dhe fisnikëri të lartë, është treguar e zonja që gjithmonë të mbajë flamurin lartë. Për këtë ka shkruar edhe Rilindasit tanë, vetëm se për ta ditur këtë fakt, kusht është që të lexohen veprat e tyre. Marin Barleti shkruante: “Kur dhembja u ul pakëz e ngopur prej lotëve, nënat u kthyen nga djemtë e tyre, dhe me fjalë të përsëdytura iu epnin porosi krenare”.
Padyshim, fajin e kemi që të gjithë, ne, burrat që shfrytëzojmë takatin tonë në kurriz të të tjerëve, dhe vetë gruaja, e cila nuk merr mundin dhe vullnetin për të luftuar për vetën e saj.
Një gjë është e sigurtë, nëse jo në popull/familje, në dorën tonë e tuajën është mundësia për t’i ndëshkuar ata burrështetas dhe pushtetarë që veprojnë si tinëzarë, pa turp dhe pa dinjitet, duke ia mohur të drejtën e përfaqësimit tonë çdokund.
Konkludim personal; Kjo elitë politikë nuk përfaqëson personalitetin, karakterin dhe shtetësinë time. Ata janë veçse një grupacion “i dehur” nga afshi tyre për tu pasuruar.
P.s. Gratë nuk duhet që me 8 Mars, gjatë tërë ditës simbolikisht të protestojnë, ndërsa në mbrëmje të festojnë. Nëse protestoni, atëherë çfarë po festoni?! – Dhe, nëse festoni, përse duhet të protestoni.
* Frymëzuar nga jeta politike e burrave të Kosovës zyrtare, në paraqitjet e tyre në tubime komomerative, tubime me qytetarë, vizita zyrtare në Bruksel, etj.