Me qëllim të mbrojtjes së tokave bujqësore por edhe të qasjes më të lehtë të banorëve në parcelat e tyre, komuna e Vitisë, ka bërë sot hapjen dhe pastrimin e një përroske në fshatin Drobesh.
Gjithashtu janë vendosur edhe gypa.
Me këtë rast Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka vizituar këtë lokalitet, ku nga afër ka parë punimet që janë duke u zhvilluar.
Gjatë kësaj vizite ai është pritur edhe nga banorët të cilët u shprehën të kënaqur për intervenimin në këtë përroskë e cila kalon nëpër fshatrat Drobesh dhe Smirë.
Ata potencuan se ndërhyrja në këtë përroskë do të mbrojë tokat bujqësore por edhe parcelat e tyre nga vërshimet e mundshme.
Ndërkaq Kryetari Halit shtoj se kjo komunë në vazhdimësi po përkujdeset në pastrimin e përroskave dhe lumenjve e kjo sipas tij me qëllimin më të mirë që të parandalohen vërshime dhe dëme qofshin në tokat bujqësore apo në pronat e qytetarëve.
Sipas kryetarit Haliti punimet e tilla do të vazhdojnë edhe në lokalitetet e tjera.