/2L ONLINE/ – Ndonëse reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin, kanë shkaktuar vërshime në disa komuna të Kosovës, kjo nuk ka ndodhur në komunën e Vitisë. Për vite me radhë, disa fshatra të komunës së Vitisë, siç janë Skifteraj, Budrikë, Radivojcë, janë përballur me vërshime dhe përmbytje të ekonomive familjare.
Po ashtu, në qindra hektar tokë të vërshuara, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme e madje ato toka kanë mbetur djerrina në pamundësi të punimit të tyre. Kjo gjendje është ndryshuar krejtësisht në këtë zonë dhe sivjet nuk ka pasur vërshime, si rezultat i projekteve të realizuara nga ana e komunës së Vitisë në bashkëpunim me Fondacionin Kosovë-Luksemburg, ku është punuar në hapjen e kanaleve dhe përroskave që kalojnë nëpër këtë pjesë.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, thotë se ka qenë i përkushtuar që të përmirësoj gjendjen në fshatrat Skifteraj, Radivojc e Budrikë, pasi që pos sipërfaqeve bujqësore dhe ekonomive familjare, edhe rrugët kryesore shpesh herë kanë qenë të bllokuara nga sasia e madhe e ujit.
“Shiu që ka rënë ditëve të fundit, nuk na ka shkaktuar telashe sikur më parë, pasi që jemi përgatitur për ta evituar atë, me punën që e kemi bërë në hapjen e kanaleve në atë pjesë. Sivjet, por edhe vitin e kaluar, janë mbjell gjitha ato sipërfaqe që nuk ishin punuar për shumë vite për shkak të vërshimeve. Kjo na gëzon neve si Institucione që kemi arrit ta përmirësojmë gjendjen aty ”, ka thënë kryetari Haliti.
Ndërkohë që bujqit e këtyre fshatrave, shprehen të kënaqur me gjendjen momentale. “E gjithë kjo zonë ka qenë vazhdimisht e vërshuar dhe këto toka nuk kanë mundur të punohen. Gjithnjë kemi pasur dëme në kultura bujqësore, por vitin e kaluar e sidomos sivjet po shihet rezultati i punës që e ka bërë komuna me donatorin duke evituar rrezikun e vërshimeve”, ka thënë Enver Sadiku bujk nga fshati Skifteraj.
Ai pohon se pikërisht në këto sipërfaqe që janë përballur me vërshime dhe nuk ka mundur ti punoj më herët, sivjet ka arrit rendimente shumë të mira në kultivimin e shalqirit. Të theksojmë se është ky viti i dytë që sipërfaqet bujqësore të fshatrave Skifteraj, Budrikë, Radivojc e Remnik, respektivisht rrugët kryesore të këtyre lokaliteteve, kanë qenë të qarkullueshme dhe të pa vërshuara, në krahasim me vitet e tjera që kanë ngelur të bllokuara po thuajse edhe nga një javë.
Për përkushtimin e tij në realizimin e projekteve në këto tri lokalitete, këshillat e fshatrave Skifteraj, Radivojc e Budrikë, kanë nderuar me mirënjohje javën e kaluar kryetarin e komunës së Vitisë Sokol Halitin. /2L ONLINE/