Kishte kaluar një natë të paharrueshme si një mysafir i paparalajmëruar në konakun e poetit dhe atdhetarit të shquar, Rexhep Elmazit, gjatë vitit 1962, kur fituesi i sivjem i Çmimit letrar “Beqir Musliu”, shkrimtari Ramadan Rexhepi, atë kohë punonte si gazetar i “Rilindjes” në Prishtinë.
Ajo natë dhe ai bashkëbisedim i gjatë e i pambaruar, do jetë dhe nata e fundit në Gjilan, ngase dhuna serbe e ushtruar nga aparati i UDB-së gjatë periudhës së represaljeve të Rankoviqit, në shënjestër kishte pikërisht intelektualët e paktë shqiptarë të asaj kohe.
Një vit më pas, Ramadan Rexhepi mësynë drejt Perëndimit ku, pas shumë rropatjeve, vendoset përfundimisht në Malmo të Suedisë, ku jeton e krijon, edhe sot, kur iu është afruar të tetëdhjetave.
Këtë fundjavë, pas 56 vitesh mungese në Gjilan, Ai do të vij bashkë me gruan e tij, për t’u çmallur me një pjesë të Kosovës Lindore dhe miqve që ende nuk e kanë harruar.
Gjatë qëndrimit disaditorë në Gjilan, tregimtari dhe romaniseri i parë i Kosovës Lindore, Ramadan Rexhepi, do të mirëpritet dhe nga kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, me ç’rast do t’i organizohet dhe një ceremoni me rastin e dhënies së Çmimit letrar “Beqir Musliu” e, do të jetë i mirëpritur dhe nga institucionet komunale të kulturës dhe të arsimit dhe krijues e dashamirë të artit letrar.
Agjenda e ceremonisë do të bëhet e ditur gjatë ditëve në vijim, kurse takimet tjera letrare dhe me miq do të varen dhe nga koha e shëndeti i tij …
Gjithsesi, Gjilani, kjo qendër e madhe e kulturës dhe artit letrar në Kosovë, do të jetë i nderuar me praninë e Tij, emri i të cilit vazhdimisht është përmendur me pietet e respekt të madh …
Sabit Rrustemi
( Nga Rraja e Çepurit, /Zhegër/, 11 Shtator 2018 )