/Javën tjetër në Gjilan, nën përkujdesjen e DKA-së, mbahet Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2015. Kështu, Gjilani po vazhdon traditën e mire të organizimit të olimpiadave matematike të kësaj komune. Përgatitjet që po bëhen për këtë organizim, janë në vlugun më të madh/
Shkruan : Festim SHKODRA , koordinator i OMGJ 2015
(2L ONLINE) – Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2015, për nxënësit e klasave të IX, X, XI dhe XII do të mbahet më 21 shkurt 2015 në shkollën ,,Selami Hallaqi” në Gjilan, shkollë kjo që shquhet për mikpritjen e vazhdueshme të ofruar për organizimin e olimpiadave matematike si dhe shumë ngjarjeve të tjera.
Olimpiada do të filloj në ora 9:00 kur bëhet hapja solemne e saj dhe përfundon në ora 17:00, pasi të bëhet më parë shpallja e fituesve dhe ndarja e shpërblimeve modeste përkatëse në ora 16:00. Në olimpiadë pritet të marrin pjesë rreth 100 garues. Në olimpiadë marrin pjesë, pos nxënësve të shkollave publike edhe nxënësit e shkollave private. Kështu në OMGJ 2015, sivjet janë ftuar të marrin pjesë për herë të parë edhe nxënësit e Kolegjit ,,Don Bosko” në Gjilan.
Aktivitetet për këtë organizim kanë filluar nga DKA në Gjilan, afër dy muaj më herët, me marrjen e ftesës për pjesëmarrje në Olimpiadën Matematike të Kosovës OMK 2015, nga organizatori i saj – Shoqata e Matematikanëve të Kosovës. Pastaj janë përcaktuar koordinatori i olimpiadës, komisionet e punës për përgatitjen e olimpiadës, ku përfshihen rreth 20 mësimdhënës të matematikës nga Komuna e Gjilanit. Në bashkëpunim me DKA-në, drejtoritë dhe mësimdhënësit e matematikës të shkollave të Komunës së Gjilanit tashmë ka filluar organizimi i Olimpiadave Matematike Shkollore për nxënësit klasave të IX, X, XI dhe XII. Pjesëmarrësit për olimpiada shkollore, zgjedhen nga fituesit e garave në klasat e tyre. Pastaj secila shkollë në varësi të numrit të përcaktuar të përfaqësuesve nga Këshilli Organizativ i OMGJ 2015, i dërgon fituesit e vetë në Olimpiadën Matematike të Gjilanit OMGJ – 2015. Këta fitues marrin pjesë në OMGJ 2015, dhe aty përzgjidhen nga tre më të mirët prej secilës prej klasave, pra gjithsej 12 më të mirët për të marrë pjesë në Olimpiadën Matematike të Kosovës – OMK 2015, që sivjet mbahet me 2 Mars 2015 në Kolegjin ,,Mehmet Akif” në Banullë – Lipjan. Aty zgjedhën 5 më të mirët e secilës prej klasave (pra gjithsej 20 nxënës) e pas disa javësh ata i nënshtrohen një gare të re me detyra të njëjta për të gjithë. Në këtë garë finale zgjidhet ekipi i Kosovës prej 6 më të mirëve. Ky ekip merr pjesë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare IMO 2015 të 56-tën me radhë, që sivjet mbahet më 4 -16 korrik 2015 në Chiang Mai – Tajlandë. Kosova është ftuar të marrë pjesë në IMO 2015, me të drejta të plota për herë të pestë.
Gjilanasit, deri më tani shumë herë kanë dalur ndër më të mirët, në nivel shtetëror, kombëtar e mbarëkombëtar. Nxënës nga Gjilani kanë arritur disa herë të jenë edhe pjesë e ekipit të Kosovës në Olimpiadat Matematike Ndërkombëtare. Për këtë, Gjilani me plot meritë edhe ka marrë epitetin nga të tjerët ,,Qytet i Matematikës”.
Si çdo në çdo organizim tjetër, gjatë përgatitjes së olimpiadave matematike ka mjaft vështirësi e sfida të natyrave të ndryshme. Por falë vullnetit të madh, punës së përbashkët ekipore me kolegë, të organizuar mirë dhe përkrahjes së vazhdueshme nga DKA, si dhe shumë dashamirëve të arsimit e olimpiadave matematike, arrihet të tejkalohen me sukses këto pengesa. Kështu e vlen të falënderohen publikisht për përkrahje DKA në Gjilan, Grupi KOHA, për donacionet e shumta në libra që po i ofron qe 3 vite me radhë për fituesit, përcjelljen e ngjarjes në KTV dhe në ,,Koha Ditore” etj. Po ashtu duhet të falënderohen për përkrahjen e ofruar edhe kompanitë private: ,,ANG and Partners”, ,,GanDizajn”, ,,DEA”, ,,KIKA”, ,,SYRI Mobile House”, Revista ,,PC World” etj. . Për përkrahjen e dhënë në vazhdimësi, në organizimin e këtyre olimpiadave, Grupi ,,KOHA” dhe Kompania ,,GanDizajn” janë shpallur ,,Miq të Olimpiadave Matematike të Gjilanit” më 2014 nga këshilli organizativ i këtyre olimpiadave.
Në saje të kësaj përkrahje, sivjet tre fituesit e pare, të secilës prej klasave IX, X, XI dhe XII, do të shpërblehen me medalje, mirënjohje, komplete librash, revista etj., për stimulim edhe mësimdhënësit e tyre do të shpërblehen me mirënjohje e libra. Po ashtu edhe fituesit e vendeve të IV e të V, do të shpërblehen me mirënjohje e ndonjë libër apo revistë. Por, njëherit edhe të gjithë nxënësve tjerë pjesëmarrës do t’iu jepet nga një mirënjohje për pjesëmarrje në olimpiadë.
Më tutje, në OMK 2015, nxënësit që arrijnë të zënë vendin e I, II apo III, do të shpërblehen me me medalje, mirënjohje dhe përkatësisht me 200, 150 dhe 100 Euro. Mirënjohje dhe të njëjtat shuma në të holla përkatësisht, do t’iu ndahen edhe mësimdhënësve të nxënësve fitues, si mirënjohje për punën e tyre të deritanishme dhe si shtytje për punë të mëtejme. Këto shpërblime i ndan Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) që i siguron nga donatorë të ndryshëm. Gjithashtu edhe fituesve të vendeve të I, II dhe III të OMK 2015, do t’iu ndahen mirënjohje e medalje për vendet e zëna ndërsa nxënësve të tjerë mirënjohje për pjesëmarrje. Për nxënësit e shkollave të Komunës së Gjilanit, që fitojnë në këto olimpiada, pritet të organizohet edhe pritje solemne në DKA dhe tek Kryetari i Komunës.
Nxënësit e Komunës së Gjilanit po i arrijnë këto suksese fillimisht në saje të vullnetit dhe talentit të tyre e pastaj edhe punës së palodhshme që bëhet me ta, në të gjitha nivelet e shkollimit nga klasa e I-rë e deri në të XII-tën, nga mësimdhënësit e tyre. Po ashtu ata ngrisin nivelin e tyre të dijeve matematike edhe në saje të pjesëmarrjes së vazhdueshme nëpër gara të matematikës, korrektësisë dhe organizimit cilësor të këtyre garave. Gara këto që mbahen për nxënësit e shkollave të mesme të ulëta dhe të larta. Duhet të përmendim se në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies së matematikës, në shkollat fillore dhe shkollat e mesme të ulëta të Komunës së Gjilanit kanë ndikuar mjaft edhe trajnimet e mbajtura me mësimdhënës të këtyre shkollave në fushën e matematikës. Këto trajnime janë organizuar nga GIZ-i gjerman dhe MASHT-i. Mësimdhënësit pjesëmarrës janë ndarë tejet të kënaqur me këto mundësi të ofruara, duke ngritur kështu edhe perfomansat e veta profesionale.
Në të ardhmen nga këta nxënës – matematikanë të talentuar, vetëm një pjesë e vogël e tyre do të bëhen matematikanë, ndërsa pjesa tjetër do të zgjedhin profesione tjera më atraktive e profitabile. Sepse profesioni i matematikanit tek ne edhe pse është mjaft i kërkuar në të gjitha komunat e Kosovës (pra ende ka mjaft vende të lira pune), nuk zgjedhet nga këta talentë sepse ata herët e kuptojnë që shoqëria jonë nuk e çmon atë sa duhet në harmoni me angazhimin që duhet bërë për të studiuar atë shkencë dhe punës që pritet të bëhet në të ardhmen gjatë ushtrimit të profesionit të matematikanit. Tani këtij mosorientimi profesional në matematikë, do t’i kontribuoj edhe më tepër shuarja e drejtimit matematikë-informatikë me kurrikulën e re mësimore. Por këta talentë të rinj të matematikës, në saje të këtij formimi fillestar matematik që kanë marrë, nga praktika shihet se kudo që studijojnë e punojnë, do të jenë më të mirët në profesionin e vetë. Sepse edhe sipas shkencëtarëve, matematika është ,,gjimnastika më e mire për trurin”. Kështu këta nxënës në të ardhmen pritet të jenë shtyllë e fortë e zhvillimit të vendit, nëse tani shoqëria jonë tregon për ta kujdesin e duhur dhe të merituar.
Programi i këtyre olimpiadave është si vijon: Detyrat e klasës IX, caktohen nga programi mësimor i matematikës për klasën e IX dhe klasave paraprake. Detyrat e klasave X, XI dhe XII caktohen nga programi mësimor i drejtimit matematikë-informatikë të klasave përkatëse dhe klasave paraprake. Ky drejtim në Gjilan është në shuarje e sipër, sepse vetëm klasa e XII e këtij drejtimi ende ekziston tek ne, ndërsa klasa X dhe XI mësojnë me kurrikulë të re. Prandaj nxënësit gjilanas të klasave X dhe XI do të ndodhen në pozitë të pabarabartë me nxënësit tjerë të Kosovës.
Ky problem mund të zgjidhet duke filluar të organizohen olimpiadat me program sipas kurrikulës së re. Po ashtu duhet të bëhet organizimi i olimpiadave matematike në dy kategori. Njëra vetëm për nxënës të gjimnazeve matematikore e të shkencave natyrore ndërsa tjetra për nxënës të gjimnazeve të shkencave shoqërore e të shkollave profesionale. Sepse edhe më parë e edhe tani programi i këtillë i garave ka qenë destimulues për nxënësit e shkollave profesionale, gjimnazeve shoqërore etj. Si dhe këtyre nxënësve t’iu lihet në mënyrë vullnetare e drejta për të marrë pjesë në kategorinë e parë nëse ata dojnë. Sepse qëllimi i olimpiadave është edhe rritja e interesimit për matematikë tek të gjithë nxënësit dhe popullarizimi i saj, në shkolla e më gjerë. Organizimi i këtillë në dy kategori është bërë në dhumë shtete të rajonit e më gjerë. Ekipi përfaqësues i shtetit do të formohej nga nxënësit që garojnë në kategorisë së pare. Ndërsa për nxënësit tjerë gara do të përfundonte me garën përkatëse shtetërore në kategorinë e dytë. Kështu do të inkurajoheshin të gjithë nxënësit për përgatije dhe pjesëmarrje më të madhe në gara.
Programi i tanishëm i testit final për përzgjedhjen e ekipit tonë përfaqësues të Kosovës dhe programi i olimpiadave ndërkombëtare të matematikes, përmban detyra nga algjebra, gjeometria, kombinatorika dhe teoria e numrave.
Tek ne dhe në rajon, mbahen edhe disa gara tjera të matematikës. Në trevat shqiptare mbahet edhe Olimpiada Matematike e ,,Plusit” për nxënësit e klasave VI-IX, nga niveli lokal deri në atë mbarëkombëtar, ku nxënësit tanë kanë arritur disa herë vende të para. Kjo olimpiadë organizohet nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë së Bashkuar, kështu ajo ka bërë bashkimin kombëtar në fushën e dijes – matematikës. Edhe Gjilani ka qenë njëherë mikpritës i kësaj olimpiade. Revista ,,Plus” nga Tetova dhe këto gara kanë ndihmuar shumë në formimin matematik të nxënësve tanë në mbarë trojet shqiptare. Poashtu, në Shqipëri që nga viti 2000, organizohet edhe Olimpiada Mbarëkombëtare e Dijes për nxënësit e klasave I-IX, nga shkolla private ,,Udha e Shkronjave”, në kuadër të saj bëhet edhe gara në matematikë.
Olimpiada matematike kryesore e botës është Olimpiada Matematike Ndërkombëtare IMO, që mbahet për çdo vit në vende të ndryshme të botës, që nga viti 1959. IMO për herë të parë u organizua më 1959 në Rumani, ku morën pjesë vetëm 7 shtete ish-socialiste, ndërsa sot marrin pjesë mbi 100 shtete nga 5 kontinentet. Olimpiada IMO në fushën e matematikës, është e barasvlefshme me Lojërat Olimpike Botërore në sport.
Në Ballkan mbahen dy olimpiada matematike ballkanike, ku Kosova nuk merr pjesë ndërsa Shqipëria po. Këto janë: Olimpiada Matematike Ballkanike për nxënës mbi 15.5 vjeç, që organizohet që nga viti 1984 dhe Olimpiada Matematike Ballkanike për Juniorë, për nxënës deri në 15.5 vjeç, që organizohet që nga viti 2006. Në këto olimpiada ballkanike marrin pjesë edhe disa shtete tjera jashtë Ballkanit e Evropës.
Në Evropë organizohet edhe Olimpiada Matematike Evropiane e Vajzave, që nga viti 2012, ku Shqipëria merr pjesë ndërsa Kosova jo. Poashtu, për çdo vit organizohet edhe ,,Olimpiada Matematike e Mesdheut” që nga viti 1998, ku të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjitha shtetet e Mesdheut dhe shtetet tjera fqinje me to (Kosova nuk merr pjesë, ndërsa për Shqipërinë nuk kemi informata a merr pjesë). Pos këtyre olimpiadave, në rreth 50 shtete të botës organizohen edhe garat e matematikës ,,Kenguri pa kufij” për nxënësit e klasave I – XII, qe afër 30 vite. Ku ende as Shqipëria e as Kosova nuk i kanë organizuar dhe s’kanë marrë pjesë asnjëherë, ndërsa shumë shtete të rajonit i organizojnë dhe marrin pjesë në to.
Në fund i ftojmë të gjithë dashamirët e matematikës dhe mediat lokale të marrin pjesë në hapjen solemne të Olimpiadës Matematike të Gjilanit – OMGJ-2015, më 21 Shkurt 2015 në shkollën ,,Selami Hallaqi” në Gjilan, në ora 9:00 si dhe në shpalljen solemne të rezultateve në ora 16:00, të njëjtën ditë!
Ju mirëpresim në Olimpiadën Matematike të Gjilanit – OMGJ 2015 ! /2L ONLINE/