SC Gjilani e ka marrë fitoren e parë në stinorin pranveror, derisa në kuadër të javës së 19-të në Superligë ka triumfuar përballë Flamurtarit në shtëpi me rezultat 2:0.
I kënaqur me këtë fitore ka mbetur edhe kryetrajneri i kësaj skuadre, Gentjan Mezani, i cili theksoi gjithashtu se skuadra e tij ka ende elemente për t’i përmirësuar.
“Ishte një fitore shumë e domosdoshme, pasi që vinim nga eleminimi nga Kupa, i cili ishte objektivi ynë dhe humbja në derbi. Një fitore shumë e rëndësishme që vjen në një moment të mirë për ne. Më pëlqeu me mënyrën se si skuadra i zgjidhi gjërat. Por, kemi ende punë për të bërë, sikurse në repartin defansiv të mbrojtjes, po ashtu edhe në atë ofansiv, pasi që kur po sulmojmë po jemi të shpërqëndruar në mbrojtje”, deklaroi Mezani fillimisht për “Super Sport Kosova”.
Më pas foli edhe për presionin e ndeshjeve, i cili për të tashmë është i zakonshëm.
“Apsolutisht nuk kisha asnjë lloj presioni. Ishte presion i zakonshëm sikurse në të gjitha ndeshjet tjera, pasi që ndeshjet mbarojnë dhe numri i pikëve që ke për të marrë zvogëlohen. Nuk kishte diçka tjetër”, përfundoi Mezani.
Gjilani mbetet në pozitën e katërt të renditjes tabelare.