Gjilani ka barazuar sërish në shtëpi, derisa këtë herë u ndal nga FC Prishtina. Kryetrajneri i kësaj skuadre Gentjan Mezani u nda i kënaqur me atë se çfarë treguan futbollistët e tij.
“Kemi bërë një ndeshje të kujdesshme, gjithmonë duke e ditur edhe potencialin që ka Prishtina dhe ecurisë së rezultateve të mira nga të cilat erdhi te kjo ndeshje. Edhe pse rastet më të mira i kishim në pjesën e dytë, mund të them se kemi luajtur më mirë në pjesën e parë, pasi që kishim ekuilibrat dhe kishin lojën nën kontroll duke mos rrezikuar shumë”.
43 vjeçari gjithashtu foli edhe për objektivat e ‘kuqebardhëve’ në pjesën pranverore të kampionatit.
“Kemi patur oscilacione, por kjo ndodh në skuadrat që bëjnë shumë ndryshime në përbërje. Kemi mundur të bëjmë më mirë padyshim, por besoj se në pranverë do të komponohemi edhe më mirë dhe të arrijmë objektivat, pasi që ne kemi objektiva që duhet arritur”, përfundoi Mezani.
Gjilani e ka mbyllur vjeshtën në pozitën e dytë të renditjes tabelare, duke lënë kështu prapa rivalin e përbetuar Drita.