Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se Ambasada Amerikane në Prishtinë, në veçanti INL – Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit po ndihmon komunën e Gjilanit, konkretisht Policinë, në procesin e monitorimit me kamera dhe softuerë.
Kryetari Hyseni ka thënë se pas aktivizimit të 83 kamerave në qytet, po vazhdojmë me realizimin e projektit të instalimit të kamerave në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, duke shtuar numrin e tyre edhe në lokacione të tjera në mënyre që të krijohet një siguri më e madhe për qytetarët.
“Ky projekt është tejet i rëndësishëm për sigurinë e bashkëqytetarëve, andaj është i mirëseardhur edhe realizimi i projektit të kamerave të veshura në trup edhe për policinë në rajonin e Gjilanit, projekt ky i cili po zbatohet në tërë Kosovën me ndihmën e INL në Ambasadën Amerikane”, është shprehur kryetari Hyseni.
Ai ka theksuar se përderisa Komuna garanton mirëmbajtjen e tyre, policia përfiton nga ky projekt në monitorim dhe siguri të qytetarëve.
“U jemi mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen”, është shprehur kreu i Gjilanit. /2LONLINE/