Komedia “Partia” shpërfaqë abuzimin me pushtet të “kokëzbrazëve’, por edhe riciklimin apo reinkarnimin e tyre në çdo periudhë kohore.
Sonte në Teatrin e Qytetit të Gjilanit u dha premierë shfaqja “Partia”, me autor Femi Halimi, e me regji nga Bashkim Nexhipi. Luajtën: Kenan Gurgurovci, Qëndrim Kçiku, Gëzim Bucolli dhe Kreshnik Berisha. Muzika: Florim Gagica, skenografia; Robert Masurica, dizajni i dritave: Fatmir Halili, rekuizitat: Suad Berisha, organizator: Raif Haziri, teknika: Haki Aliu, Mejdi Hoti dhe Fehmi Hoti.
Përkundër që situata pandemike e ka goditur çdo segment të jetës, megjithatë dashurinë që gjilanasit e kanë për teatrin nuk e ka zbehur dhe kjo u dëshmua edhe me interesimin e publikut për ta përcjellë këtë shfaqje premierë, kuptohet konform masave që po ndërmerren në angazhimet për parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie, transmeton Portali 2lONLINE.com.
Para artdashësve me një lojë e tekst thumbues u vu në pah dukuria e abuzimit të skajshëm me pushtet, duke pasqyruar kohën në sistemin ish jugosllav. ku partia ishte mbi të gjitha dhe njerëz të veshur me petkun e pushtetit, për partinë në të cilën besonin dhe në emër të partisë nga ku përfitonin. nuk përtuan të abuzonin skajshmërish deri në atë masë sa nuk kishte asgjë njerëzore në veprimet e tyre karshi të tjerëve, që nuk ishin si ta.
Personazhet personifikonin njerëz të tillë, kokëzbrazë, pa moral, shërbyes të verbër të partisë, të sistemit, që me fuqinë e pushtetit me të cilin ishin veshur tregonin politikën reale e jo atë të proklamuar si e drejtë.
E veçanta e kësaj komedia ishte edhe fundi i saj që vuri në pah riciklimin apo reinkarnimin e sojit të tillë edhe në ditët e sotme, ku përkundër lirisë, demokracisë…, vazhdon të dominojë politika e të fortit, e pushtetit abuziv, e jo politika e të drejtës, politika e interesit qytetar, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Përndryshe, pavarësisht niveleve të shfaqjeve që mund të vihen në skenë të teatrove tona, investimi në kulturë, në edukim për këtë fushë, krijimin e artistëve, pastaj sa më shumë tekste nga autorët tanë, drama e inskenime të shfaqjeve, është domosdoshmëri që institucionet përkatëse ta kenë prioritet dhe të mos kursehen në asnjë formë, e mbi të gjitha duke hapur qesen e tyre, për të derdhur sa më shumë mjete në këtë fushë, për të pasur teatro të forta dhe shfaqje që i do dhe i pret publiku, tani më i dëshmuar si artdashës. /2LONLINE.com/