Nënkryetari i Partisë Demokratike Serbe në opozitë, Sllobodan Samarxhiq (në foto) tha sot se qeveria e Serbisë duhet të reagojë lidhur me deklaratat për Kosovën të deputetit gjerman, Andreas Schockenhoff.
Samarxhiq tha se përvoja e deritashme tregon se Schockenhoff gjithnjë paraqet qëndrime zyrtare gjermane, raporton agjencia Beta, transmeton Rel.
Deputeti i partisë së kancelares gjermane Unioni Demokristian, Andreas Schockenhoff i ka thënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian në këtë moment nuk e ka përmendur fjalën “njohje” të Kosovës, pasi e di se çka do të thoshte kjo sot në Serbi, por në fund të procesit të integrimit, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të jenë në gjendje që në procesin e pavarur politik nga njëra-tjetra të hyjnë në BE.
Samarxhiq ka vlerësuar se deklarata e tillë do të thotë se nga Serbia do të kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës.