Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës u bëri thirrje studentëve që të mos e bllokojnë punën e Rektoratit, por problemi të zgjidhet përmes rrugëve institucionale. Njëherësh, Parlamenti Studentor kërkoi që të hetohen të gjitha avancimet që janë bërë përmes punimeve shkencore që nga viti 1991 e deri më sot.
Me pankartat si: “Politika nuk hiqet me politikë”, “Studenti flet vet, jo me direktiva”, e të tjera, disa studentë kanë kërkuar nga kolegët e tyre që ta ndalin bllokimin e rektoratit. Ky aksion, i organizuar nga Parlamenti Studentor, është organizuar para Fakultetit të Filologjisë. Minir Begaj, kryetar i parlamentit tha se problemi duhet të zgjidhet përmes rrugëve institucionale, transmeton RTK..
“Nuk do të amnistohet askush, as rektori e as vet ministri, as profesorët e as asistentët, apo kushdo tjetër që ka manipuluar me avancime të tilla akademike. Në kemi kërkuar dhe kërkojmë që zgjidhja të jetë përmes rrugëve institucionale”, tha ai.
Thirrjeve për parandalimin e protestave u është bashkuar edhe opozita studentore. Flamur Spahiu theksoi se nuk është reale të bllokohet rektorati në kohën kur studentët aplikojnë për bursa. Prandaj, ai tha se do t`iu kundërvihen aksioneve që kanë për qëllim bllokimin e jetës në Universitetin e Prishtinës.
“Ne do të gjejmë mënyra të ndryshme për t`iu kundërvënë çdo aksioni që ka për qëllim bllokimin e jetës dhe punës në Universitetin e Prishtinës”, tha ai.
Parlamenti Studentor kërkon që të bëhet rishikimi dhe plotësimi i ligjit mbi arsimin e lartë të Republikës së Kosovës, rivlerësimi i masterit, doktoraturës dhe punimeve shkencore që nga viti 1991 e deri më sot që kanë shërbyer për zgjedhjen dhe avancimin e kuadrit akademik ndër vite. Po ashtu kërkohet ndërprerja e kontratave të dyfishta të profesorëve, asistentëve dhe stafit tjetër akademik.