(2L ONLINE) – Parku i qyteti të Gjilanit është vend i paraparë për qytetarët gjilanas ku ata mund të dalin për t’u shëtitur, për të pushuar e për t’u relaksuar, por se, sa është në fakt ky park i qytetarëve, veçmas në orët e mbrëmjes?!
Shqetësimet e qytetarëve se aty ndodhin edhe gjëra të pahijshme janë të shumta, duke u nis prej shqetësimeve të shprehura se ka ngacmime seksuale, ka prostitucion, ka shitblerje të narkotikëve, e shpërfaqje të dukurive tjera devijante që e kanë ‘pushtuar” parkun.
Se sa është shqetësuese dhe nuk duhet injoruar këto ankesa të qytetarëve tregon edhe fakti se një problematikë e tillë është vënë në rend dite edhe në njërën nga takimet e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), të komunës së Gjilanit, ku përveç organeve përkatëse komunale, pjesë e saj janë edhe organet e sigurisë, të shoqërisë civile e organizmave tjerë relevantë.
Se në parkun e qytetit ndodhin gjëra të pahijshme dhe se nga qytetarët janë ngritur shqetësime të tilla, janë në dijeni edhe organet komunale. Halit Rexhepi, drejtor i Drejtorisë Komunale për Mbrojtje e Shpëtim ka bërë me dije për Portalin 2L ONLINE, se shqetësime të tilla janë bartë nga ana e qytetarëve edhe në këtë drejtori.
Rexhepi ka thënë se janë ngritur dyshime dhe përfolët për raste të ndryshme. Ai nuk ka mohuar se ka dëgjuar se aty, nga disa njerëz të moshuar, kryesisht pensionist, ka raste kur kërkohen shërbime seksuale, madje në këmbim edhe të pesë eurove dhe e keqja është se dyshohet se ka të reja që e ofrojnë këtë shërbim. Apo ka raste kur kalimtaret që e shfrytëzojnë rrugën e brendshme të parkut për të shkuar në destinacionin e tyre, ngacmohen seksualisht, apo edhe dyshime se ka shitblerje të narkotikëve e deri tek dukuri tjera devijante që ndodhin brenda parkut.
Për këtë qëllim ai thotë të ketë kërkuar nga policia angazhim për të zbardhur këto dyshime dhe për ta larguar të keqen nga rruga, parandaluar dukuritë negative dhe për të bërë kthimin e parkut, qind për qind, qytetarëve.
Rexhepi, që njëherësh është edhe koordinator i KKSB-së, thotë se këto gjëra të pahijshme që alarmohen nga qytetarët se janë duke ndodhur në parkun e qytetit. e kanë detyruar atë që të e fus në rend dite në një mbledhje të KKSB-së edhe këtë çështje, pasi është shqetësuese dhe duhet ndërmarrë masa që të zbulohen, pengohen e parandalohen dukuritë e tilla negative aty dhe edhe në mbrëmje parku t’i kthehet qytetarëve, që duan të pushojnë, shëtitën apo relaksohen aty.
Për, më tepër. Rexhepi thotë se ka kërkuar nga policia që të jetë me prezentë në parkun e qytetit, të shtojë patrullimet dhe ta ketë angazhimin maksimal që të luftohet kriminaliteti në atë pjesë të qytetit.
Përndryshe, si shqetësim Rexhepi ka ngritur edhe rastet kur kalimtarët dhe pushuesit e parkut shqetësohen nga qentë, që pronarët e tyre i shëtisin pa siguri (mbrojtëse në gojë). Në këtë drejtim Rexhepi thotë se kanë ndërmarr masa si drejtori, dhe kanë vendosur shenja në park ku bëhet e qartë se nuk lejohet mbajtja dhe shëtitja e qenve pa mbrojtëse në gojë, çka paraqet rrezik për fëmijët dhe qytetarët tjerë, por sipas Rexhepit, e keqja është se ato shenja nuk respektohen fare.
Rexhepi ka thënë se çështja e sigurisë nuk është obligim vetëm i policisë, por ka kërkuar nga të gjithë të ndihmojnë në luftimin e kriminalitetit, duke e ndihmuar edhe policinë, për të arritur deri tek “zero’ kriminalitet në parkun e qytetit. /2L ONLINE)