(2L ONLINE) – Është mbajtur sot takimi radhës i mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje, ku ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, përfaqësues nga policia, prokuroria, OSBE dhe OJQ të ndryshme.
Kryetari Haziri ka thënë se nga takimi i herës së kaluar Komuna e Gjilanit ka ndërmarrë veprime konkrete sa i përket marrjes në konsiderim të gjitha rekomandimeve që kanë dalë nga punëtoria dhe nga kërkesat e mekanizmit koordinues.
“Përveç takimeve që kam pasur drejtpërdrejt me shoqata, OJQ, grupe të ndryshme e përfaqësim që janë pjesë e mekanizmit koordinues, ne kemi konsideruar edhe në aspektin buxhetor interesat në mënyrë që ky mekanizëm të jetë funksional në dy nivele. Niveli i parë është që do t’i konsiderojmë me buxhet të gjitha rastet që paraqiten në organet e shtetit, në mënyrë që përmes mekanizmi të ketë trajtim për ta dhe e dyta, zgjidhja e problemit të vendosjes përkundër vullnetit tonë që të bëjmë marrëveshje më të gjitha komunat, por po shihet se përgjegjësia përfundimisht po bie mbi Komunën e Gjilanit dhe ne do ta trajtojmë si rast të veçantë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Kategoria e tretë buxhetore është që ne do të konkurrojmë ne emër të mekanizimit tek donatorët potencial që i kemi identifikuar në mënyrë që ta bëjmë një buxhet të qëndrueshëm edhe për organizatën që merret me trajtimin më afatgjatë të rasteve sië është shoqata “Liria”, ka thënë kryetari Haziri.
Kryetari i Gjilanit është shprehur se gjatë javës së ardhshme do të nënshkruhet një marrëveshje e mirëkuptimit me akterët e Mekanizmit, në mënyrë që Komuna e Gjilanit në kuptimin buxhetor ta stabilizoj funksionimit e mekanizmit, të ndahen detyrat me të gjithë pjesëmarrësit për të mos pasur telashe çfarë ka pasur në këtë vit.
Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku Rexhepi i ka rekomanduar Mekanizimit koordinues kundër dhunës në familje që bashkërisht të dalin me kërkesa tek kryetari i Komunës, jo secila OJQ të bëjë këtë veç e veç.
Bunjaku Rexhepi ka propozuar që ky mekanizëm ta nxjerr një trup koordinues për të ndihmuar qendrën “Liria” dhe ky trup do ta mbikëqyrë punën dhe projektet e kësaj Qendre, dhe krejt kjo të bëhet në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit.
Përfaqësues nga prokuroria kanë thënë se për nëntë mujorin e vitit 2014 në Gjilan ka pasur 114 raste të paraqitura të dhunës në familje, që përfshinë kanosje, sulm, dëmtim trupor etj, që për fat të keq ky numër është në rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. /2L ONLINE/