Sot skadon afati i paraqitjes së kandidaturave për kryetar të Mitrovicës Veriore. Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor thonë se vetëm një kandidant nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka paraqitur aplikacionin për postin e kryetarit në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.
Të interesuarit për kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore mund të aplikojnë vetëm edhe sot. Zyrtarë të KQZ-së thonë se edhe pse orari i punës është deri në orën 18.00, aplikacionet mund t’i presin deri në ora 24:00.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Radio Kosovën se deri tani vetëm një kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka aplikuar për postin e kryetarit në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.
”Mund t’iu konfirmoj se deri në orën 13:30 kemi marrë edhe aplikacionin e parë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunes së Mitrovicës Veriore. Bëhet fjalë për LDK-në e cila ka bërë aplikimin në Zyrën për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike”.
Zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës veriore do të përsëriten më 23 shkurt, pasi kryetari i zgjedhur, Krstimir Pantiq kishte refuzuar të bënte betimin me ligjet e Kosovës.
Ndërkaq njëri nga kandidatët me serioz për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq, kryetar i listës SDP ditë më parë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji pasi dyshohet për krime lufte dhe vrasje të rëndë.