Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit B. M.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më 23.04.2019 rreth orës 11:00, në objektin e Gjykatës Themelore në Gjilan, ka sulmuar fizikisht personin zyrtar R. D., ekspert komunikacioni, derisa ky i fundit ka qenë duke e elaboruar superekspertizën, gjatë shqyrtimi gjyqësor në çështjen penale P.nr. 418/2018, për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.
Me këto veprime i pandehuri B. M. dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.