/2L ONLINE/ – Shefi i Grupit të Këshilltarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Selami Xhemajli, thotë se para drejtësisë duhet secili të përgjigjet pavarësisht pozitës që mbanë. Por, që të gjithë janë të pafajshëm deri sa organet kompetente do ta nxjerrin vendimin përfundimtar, që do të merr formë të prerë, e që mund ta thotë të kundërtën.
Kështu është përgjigjur Xhemajli për Portalin 2L ONLINE, lidhur me zhvillimet e fundit kur aktualisht Gjilani ka një kryetar me aktakuzë, por se tani së fundi edhe ndaj ish kryetarit të Gjilanit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur po ashtu aktakuzë.
Veprat penale, në të cilat pretendon prokuroria se janë kryer nga të akuzuarit kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, apo edhe për krim të organizuar dhe korrupsion. Në listë të aktakuzës janë po ashtu edhe shumë zyrtarë komunal.
Përndryshe, Xhemajli tha se fakti që kryetari aktual ka aktakuzë, nuk reflekton në çështje të koalicionit që ka AAK-ja me LDK. Ai tha se kanë hisen e tyre në pushtet dhe për aq sa kanë hise edhe punën e kryejnë me përgjegjësi të plotë dhe se në çdo moment janë të gatshëm për përgjegjësi dhe janë me bindje të plotë se para qytetarit kurdoherë do të dalin faqebardhë.
I pyetur për presionet e herë pas hershme nga partneri, që vijnë nga deklaratat e individë të ndryshëm që janë pjesë e LDK-së, për qëndrueshmëri të koalicionit, Xhemajli, thotë se koalicioni qeverisës në Gjilan në mes të LDK-së dhe AAK-së është funksional dhe do të vazhdojë tutje deri në fund, ndërkohë që ka shtuar se i mirëkupton edhe ata zëra kritik ndaj këtij koalicioni, që mund të vijnë nga tabori i LDK-së, pasi kjo është demokracia secili ka të drejtë t`i shpreh mendimet e veta, por se ata nuk janë faktor vendimmarrës, marrëveshjet i bëjnë strukturat e subjekteve përkatëse dhe jo individët.
Përndryshe, Xhemajli thotë tutje se pjesa e AAK-së e përfaqësuar në ekzekutiv përmes nënkryetarit dhe dy drejtorëve që udhëheqin me Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, ka treguar performancë të mirë në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj dhe akte të tjera nënligjore si dhe në mbështetje të realizimit të projekteve të cilat i përkasin fushëveprimit të tyre. “Meritë për këtë performancë të mirë të anetarëve tanë në ekzekutiv ka edhe kryetari i Komunës për hapësirën dhe përkrahjen që u jep në ushtrimin e funksioneve në drejtoritë përkatëse”, thotë Selami Xhemajli, Shefi i Grupit të Këshilltarëve të AAK-së, në Kuvendin Komunal të Gjilanit. /2L ONLINE/