Zhurma që qe krijuar para shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës rreth vendeve të rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit pakicë, pritet të rikthehet sërish në këtë kohë zgjedhore. Kjo për faktin se brenda institucioneve të nivelit qendror ka mospajtime në interpretimin e nocionit “vende të garantuara”.
Një zyrtar i lartë institucional ka bërë të ditur për Tribunën, se derisa një palë konsideron se komuniteti pakicë, pas këtyre zgjedhjeve do t’i ketë fiks 20 ulëse në Kuvend, pala tjetër ka bindjen se ky komunitet mund të marrë mandate më shumë se kaq, nëse pjesëmarrja e qytetarëve minoritar është e madhe.
“E vërteta është se dispozita e cila e përcakton çështjen e ulëseve të garantuara, tash ka filluar të interpretohet me dy kuptime. Kjo gjë do të sjellë telashe në ditët në vijim, pasi pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët tashmë kanë filluar të mobilizohen për zgjedhje, do të insistojnë të marrin më shumë se 10 ulëse”, ka thënë ky zyrtar. Si njohës i procesit të dialogut për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës, ai ka shprehur bindjen se Pakoja e Ahtisarit, ka bërë një diskriminim pozitiv për komunitetet pakicë, por jo dy.