Nga 188 ndërmarrje në Serbi të cilat janë në listën për falimentim, për 76 që nuk kanë asnjë të punësuar, falimentimi ka filluar dhe do të përfundojë në dy muajt e ardhshëm. Pjesa më e vështirë e punës është fillimi i këtij procesi edhe në ndërmarrjet në të cilat janë të punësuar gjithsejtë 5.000 punëtorë, pasi para falimentimit duhet të fillohet me programin social.
Me vendim të Qeverisë së Serbisë ndërmarrja “Prolece” (Pranvera) nga Bujanoci është në listën që ka filluar aplikimi i falimentimit. Këtij procesi si dhe privatizimit për momentin i ka shpëtuar stacioni i veterinarisë në Bujanoc, raporton portali informativ Titulli.com.
Këto kompani gjenden në listën e 188 ndërmarrjeve për privatizim, mirëpo nuk ka pas të interesuar për t’i blerë, kështu që Qeveria si pronar, ka vendosur për marrjen e këtyre masave.
Siç është paralajmëruar nga Qeveria e Serbisë, programi social do të duhet të aplikohet në 60 ditët e ardhshme, ndërsa pagesa për largimin nga puna do të jetë 200 euro për një vit shërbim tek punëdhënësi i fundit, respektivisht shuma maksimale që mund të fitohet nga ky program social është 8.000 euro.
“Prolece” (Pranvera) është ndërmarrje për turizëm-hotelieri, si dhe vënie në treg të prodhimeve. Falimentimi që ka prekur ndërmarrjet e komunës së Bujanocit, sipas qytetarëve, po kontribuon në humbjen edhe të atyre pak vendeve të punës si dhe shpresën për një të ardhme më të mirë në këtë rajon.