/2L ONLINE/ – Në vendet e zhvilluara temë ditore, është ekonomia, kurse në vendin tonë është politika. Temat politike qytetarëve i imponohen nga politika e dështuar dhe e papërgjegjshme e lidershipit në Kosovë. Duke e zhvendos debatin vetëm në tema dhe kauza politike, qytetarët nuk po mundë të organizohen për kërkesa që për temë kanë zhvillimin ekonomik, punësim dhe mirëqenien e tyre. Politikanët duke e ditur se qytetarët nëse arrijnë të organizohen për tema që prekin jetën e tyre të përditshme, partitë më nuk do t’i kenë në dispozicion për kauzat e tyre për agjenda politike, ata me qëllim i mbajnë peng qytetarët në kauzat e tyre politike.
Prej se është shpallur pavarësia, dhe shumica e kompetencave kanë kaluar tek institucionet vendore, Qeveria jonë të hyrat ekskluzivisht i ka orientuar nga Dogana e Kosovës dhe duke qenë se prej vitit në vit, Qeveria i ka rrit gjithnjë shpenzimet e saja, kjo ka bërë qe edhe të hyrat nga Dogana të rritën gjithnjë në kurriz të bizneseve dhe rrjedhimisht kjo ka ndikuar edhe në potencialin e tyre për t’u zhvilluar dhe për të hap vende pune. Shumë njohës të fushës ekonomike pohojnë se politikat doganore kanë rol të madh shpesh edhe vendimtar se si do të ecë ekonomia e vendit, por deri sa të kemi një qeveri të pangopshme për para, një qeveri luksi, doganat do të vazhdojnë njëjtë punën e tyre për mbushjen e buxhetit.
Partitë politike për fushatat e tyre kanë përdorë edhe buxhetin e shtetit, duke i rrit rrogat pa mbulesë, vetëm e vetëm për ti fituar zgjedhjet. Rritjen e rrogave për arritjen e pushtetit e kanë bërë politikanët e papërgjegjshëm , duke i shkaktuar vendit një disbalancë, sepse kjo rritje e rrogave ka shkaktuar nevojën për para shtesë në buxhetin e shtetit dhe këto para do duhej të mblidhen nga Dogana. Në këtë mënyrë politika e papërgjegjshme ka bërë që sektori publik të jetë adresa e vetme për punësim, për shkak të rrogave në krahasim me sektorin privat, ku rrogat në sektorin privat janë përgjysmë ma të ulëta.
Rritja e rrogave ka pasur për pasojë edhe rritjen e çmimeve, kështu që rritja e rrogave nuk ka pas as një efekt pozitiv në mirëqenien e qytetarëve, përkundrazi efekti ka qenë shkatërrues për ekonomin private, sepse ata e kanë barrën e mbushjes së buxhetit. Ky fakt ka bërë që Dogana t’i ngrisë tarifat doganore, e bizneset çmimet dhe në këtë mënyrë rritja e rrogave të mos ketë as një afekt real.
Diaspora është ajo e cila po e mban gjallë mbijetesën tonë, mërgimtaret tonë sjellin çdo vit miliona euro në Kosovë, por fatkeqësisht ato para nuk hyn në funksion të zhvillimit ekomomik, sepse politika e pa përgjegjshme e ka krijua një mekanizëm që këto para sërish të dalin jashtë shtetit në mënyrë që një pjesë të këtyre parave ta fus në buxhetin e shtetit përmes Doganës.
Po të kishte një politikë më të mirë ekonomike, Kosova nga parat që hyn çdo vit nga diaspora dhe po të dinte që këto para ti orientonte në qarkullim të brendshëm impakti në zhvillimin ekonomik do të ishte i jashtëzakonshëm. Me këto para në qarkullim papunësia do të kishte ra dukshëm dhe bizneset do t’i kishin rrit kapacitetet e veta, do të ishin balancuar edhe rrogat, sepse një dallim kaq i madh prej sektorit publik në atë privat përpos që nuk është i drejtë, shkelë edhe të drejtat e punëtorëve.
Qeveria duke qenë në presion gjithnjë e më shumë, ka nda subvencione në sektorin e bujqësisë, mirëpo kjo nuk ka pas efekt real në zhvillim, e as në punësim, sepse prapë janë politikat doganore që e pengojnë bujqësinë që të zhvillohet. Si mund të kenë efekt subvencionet në prodhimin e produkteve bujqësore kur këto prodhime edhe nuk i mbron me politika doganore.
Në fund mundë të konstatojmë se zhvillimi ekonomik nis duke i heq barrierat bizneseve duke i favorizua dhe mbrojt prodhimet vendore duke i përshtat politikat në dobi të rritjes ekonomike. /2L ONLINE/